Lajme

Vuçiç takohet me QUINT-in: “S’po flas asgjë, më mirë për të gjithë”


Presidenti i Serbise, Aleksander Vuçiç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të mërkure është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), si dhe me shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Serbi, kjo pas situatës së krijuar në Veri të Kosovës.

Vuçiç përmes një postimi në rrjetin social “Instagram”, ka thënë se ka vendosur që të mos deklarohet fare për atë se çfarë kanë biseduar.

“Mora vendim që të mos them asnjë fjalë për takimin me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe me shefin e delegacionit të BE-së në Serbi”, potencoi ai, duke shtuar se “mendoj se është më mirë për të gjithë”.

Ndërsa, përfaqësuesit e QUINT-it mëngjesin e së martës kanë pasur një takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku misioni parësor tani është që të qetësohet situata në Veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe që Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për dalje nga kriza.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit kosovar njoftoi se ka prezantuar një plan prej pesë pikave për uljen e tensioneve në veri: Sundimi i ligjit atje; tërheqja e grupeve të dhunshme; Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë; shpallja e zgjedhje të parakohshme; dhe rikthimi në dialog.

Vuçiç bisedon me senatorët amerikanë: “Kurti po tenton të provokojë luftë në zemër të Evropës”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të martën ka biseduar përmes telefonit me tre senatorë amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, si dhe për arrestimin e drejtuesit të grupit kriminal “Mbrojtjes Civile”, Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”.

Siç njofton zyra e presidentit serb senatorët Murpy, Shaheen dhe Ricketts i thanë presidentit Vuçiç se ata “kërkojnë vetëpërmbajtje nga Serbia dhe thirrje për paqe sepse kjo është në interesin më të mirë të të gjithëve në Ballkanin Perëndimor”.

Nga ana tjetër, kreu i Serbisë u ka potencuar senatorëve amerikanë se sipas tij “qartazi dhe pa asnjë dyshim”, arrestimi nga Policia e Kosovës të drejtuesit të grupit kriminal “Mbrojtjes Civile”, Milun Milenkoviç, i njohur si “Llune”, “ishte provokim dhe një krim”, që siç thotë ai “u krye” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Tutje, Vuçiç ka pretenduar se Kurti po “tenton të provokojë një luftë në zemër të Evropës”.

“Serbia po bën gjithçka për të ruajtur paqen, por populli serb në Kosovë i është ekspozuar torturës dhe ndjekjes më të keqe në 15 vjetët e fundit”, pretendon ai.

Ndryshe, të mërkurën e 13 qershorit, Policia e Kosovës arrestoi Millun Millenkoviç, i njohur si “Llune”. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i arrestuari është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.

Ndërkaq, Sveçla deklaroi se ai ka qenë një nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në komunat Veriore të Kosovës, kryesisht në Zveçan.

Sveçla: Arrestuam njërin nga organizatorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, u lënduan 3 policë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore