Lajme

Vuçiç pak orë para takimit në Bruksel: “Do të jetë vështirë”


Aleksander Vuçiç, President i Serbisë

“Do të jetë e vështirë”, i është drejtuar popullit serb, presidenti Aleksanër Vuçiç, pak orë para takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel, duke komentuar kështu takimin në të cilin do të diskutohet për të zhdukurit dhe ku do të prezantohet draft-statuti i parë i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Përmes një video të cilën e ka publikuar në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiç ka komentuar takimin e kësaj të marte i cili do të filloj në ora 18:00, duke thënë se të gjithë “të mëdhenjtë” e vendeve perëndimore janë kundër tij, ashtu siç ka bërë pothuajse para çdo takimi të nivelit të njëjtë.

Megjithatë, presidenti serb vazhdon videon duke thënë se “ligji dhe drejtësia” janë në anën e Serbisë, ndërsa thotë se dashuria për lirinë është shumë e fortë.

“Do të jetë e vështirë. Kundër nesh janë të gjithë të mëdhenjtë në Perëndim. Megjithatë, ligji dhe drejtësia janë në anën tonë. Më e rëndësishmja, ata nuk e kuptojnë se sa e fortë është dashuria për lirinë dhe sa fort mund ta ruash atë, me gjithë presionin. Rroftë Serbia!”, ka shkruar Vuçiç në njoftimin që ka shpërndarë bashkë me videon ku shihet se është duke udhëtuar në një aeroplan.

Për këtë takim të nivelit të lartë në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar një ditë më parë.

Ashtu sic e ka treguar përmes një fotografie nw Twitter, Kurti ka thënë se po pwrgatiten pwr dialogun e sw martws.

“Në Bruksel, duke u përgatitur për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut i cili do të zhvillohet nesër (të martën)”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë thuhet se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.

Më tej bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim e zyrës së BE-së në Kosovë.

Në fund të takimit, pritet një deklaratë e përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore