Kosova

Takimet në Bruksel nisin pasdite


Takim në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes pë Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve.

Përveç Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, në këtë takim do të diskutohet edhe për të pagjeturit/të zhdukurit me dhunë.

Për takimin e kësaj të marte, Kurti udhëtoi për në Bruksel një ditë më parë, të hënën.

Madje, në llogarinë e tij në Facebook e Twitter, në orët e vona të së hënës, ai ka shpërndarë një fotografi me mbishkrimin “në Bruksel, duke u përgatitur për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut i cili do të zhvillohet nesër (të martën)”.

Vonë do të mbahet edhe takimi i liderëve sot.

Sipas njoftimit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë thuhet se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.

Më tej bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.

Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim e zyrës së BE-së në Kosovë.

Në fund të takimit, pritet një deklaratë e përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.

Ndërkaq, një ditë para takimit në Bruksel, Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet.

Këshilltari amerikan në një postim në llogarinë e tij në Twitter, bëri të ditur se është biseduar për themelimin e Asociacionit dhe partneritetin e fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.

Po ashtu të dy kanë diskutuar edhe për takimin e 2 majit në Bruksel.

“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për takimin e 2 majit të liderëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, dhe shpreha rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për komunat me shumicë serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”, shkroi Chollet.

Ndërsa Kurti theksoi rëndësinë që Marrëveshja themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim.

“Pata një telefonatë të mirë me Derek Chollet sot, ku diskutuam agjendën e takimit të së martës. Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova edhe për mbështetjen e SHBA-së”, u shpreh Kurti.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore