Shqipëria

Tritol banesës së gjyqtarit, reagon ministri i Drejtësisë


Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër, ku një gjyqtari iu vendos lëndë plasëse në banesë.

Manja ka kërkuar nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë.

Ai e ka cilësuar gjyqtarin ,Tonin Sterkaj, si gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë.

Manja thotë se me Sterkajn e ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007.

“Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time”, thotë ministri.

Ai thekson se është në krah se Sterkajt dhe familjes së tij e se është i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast.

Më herët ishte Këshilli i Lartë Gjyqësor që  i cilësoi akte të tilla si cenim të rëndë të sigurisë së gjyqtarit dhe tha se përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë.

Këshilli e dënoi aktin kriminal dhe i kërkoi organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Ai ka shprehur mbështetjen ndaj të gjithëve gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.

Kjo pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

Çfarë ndodhi

Sipas informacioneve paraprake një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në banesën që i përket gjyqtarit, Tonin Sterkaj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:13.

Nga raportimet e para mësohet se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.

“Rreth orës 03:13, në lagjen ‘Tom Kola’, Shkodër, tek porta e oborrit të banesës së shtetasit T. S., 62 vjeç, është hedhur lëndë plasëse. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, ishte njoftimi zyrtar i Policisë.

Këta të fundit thonë se po vijojnë kontrollin në zonë, por se ende nuk dihet shkaqet e vendosjes së lëndës plasëse.

Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Sterkaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore