Lajme

Vuçiç arrin në Ohër, fillimisht takon kryeministrin e Maqedonisë së Veriut


Aleksandër Vuçiç dhe Dimitar Kovaçevski

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka takuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, para se të nis takimi me i nivelit të lartë në mes të tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Ohër ku pritet të diskutohet plani i zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel.

“E falënderova mikun tim Dimitar Kovaçevski për atë që si mikpritës i mirë dëshiron të kontribuojë në vazhdimin konstruktiv të dialogut”, ka shkruar shkurt Vuçiç në rrjetin e tij social në Facebook.

Ndryshe pak qaste para takimit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hollin e hotelit ku do mbahet takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut mes tij dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç, është takuar me ministrin e punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmanin dhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin.

Kurti ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi dhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Rrugët e qytetit të Ohrit nga mëngjesi i hershëm i 18 marsit janë zbrazur nga makinat civile për shkak të perimetrit të sigurisë të vendosur disa kilometra larg hotelit “Inex Olgica” ku do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Qindra policë në pothuajse gjithë qytetin janë vendosur si patrulla të rregullta nga hyrja e qytetit e deri tek porta e jashtme e hotelit ku nga ora 10:00 do të vijnë pos Kurtit e Vuçiç-it, edhe dy përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialogun Miroslav Lajcak.

Pos tyre, në event do të jetë edhe zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, Gabriel Escobar.

Agjenda zyrtare

Pas ardhjes së liderëve në orën 10:00, në orën 10:30 fillojnë takimet e Borrell e Lajcak me liderët individualisht.

Nuk është dhënë njoftimi se me cilin nga liderët do të fillojnë dyshja nga BE.

Këto takime nevojiten për konkretizim të pikave që më pas shërbejnë si hartë në takimin trepalësh mes dy diplomatëve të BE-së dhe Kurtit e Vuçiç-it.

Takimet paraprake janë praktikë e vendosur nga ndërmjetësuesja e parë, paraardhësja e Borrellit, baronesha Catherine Ashton.

Këtu u tregohet liderëve se kush do flas i pari dhe kush i dyti. Në cilat anë do të ulën, sa minuta kanë për fjalën hyrëse dhe për çka konkretisht do të flasin.

Liderët në këto takime tregojnë gjithashtu pikat e tyre konkrete dhe më pas arrihet pajtim se çka duhet të flitet e çka jo. E gjitha bëhet që të mos krijohen befasi në takim, por secili paraprakisht ta dijë rolin e vetë.

Më pas fillon takimi trilateral.

Për shkak të semantikës së përdorur dhe ambiguitetit në deklarata, pak mund të kuptohet se cilat janë qëndrimet e dy palëve para takimit.

Megjithatë, deklarimet e ndërkombëtarëve, siç ishte ai i 17 shkurtit nga Escobar, pas takimeve të zhvilluara në Beograd dhe Prishtinë, kanë dhënë nota optimiste për pajtim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore