Shqipëria

Votëbesohet “Rama 3”, më 18 shtator betimi në Presidencë


Kabineti "Rama 3", në sfond Kuvendi i Shqipërisë

Pas një seance maratonë që zgjati 20 orë, qeveria e re “Rama 3” mori votëbesimin e Kuvendit të Shqipërisë në orët e para të 17 shtatorit.

Votimi u përmbyll me 77 vota pro, 53 kundër dhe vetëm 1 abstenim.

Me përfundimin e procesit të votëbesimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ministrat e kabinetit pritet të betohen ditën e nesërme – më 18 shtator – para Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Në fjalën e tij ndërhyrëse gjatë seancës së 17 shtatorit, Rama u gjend përpara një “bojkoti” unanim të Partisë Demokratike e cila u largua nga salla e kuvendit.

Në parlament mbetën vetëm deputetët e opozitës, Dashamir Shehi dhe Agron Duka.

“Sot në çadra janë afro 400 familje, të cilat kanë zgjedhur qysh në ditën e parë që të qëndrojnë në çadër, për shkak të largësisë nga qyteti dhe për shkak të afërsisë me tokën – me gjënë e gjallë”, deklaroi fillimisht Rama.

Duke sjellë në vëmendje 12 mijë njerëzit e prekur nga tërmeti dhe këto 400 familje, kryeministri shtoi se është dhënë që në ditën e parë “bonusi i qirasë”.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama pas largimit të opozitës nga salla e kuvendit, 17 shtator 2021

Sipas kryeministrit Rama, në regjimin e ri të taksave janë 1.2 miliardë dollarë, që nga buxheti i shtetit kanë kaluar tek familjet.

Opozita sipas Ramës, nuk duhet të vijojë me gabimet e vjetra – duke i lënë gjërat për në fund, referuar kuvendit të vjetër dhe reformës zgjedhore.

“Disponimi ynë është i plotë që sido ta zgjedhë – në rast se do ta zgjedhë Partia Demokratike – një proces dialogu eksplorativ për temat, menjëherë të vihen në komunikim”, tha në përmbyllje kryeministri gjatë ndërhyrjes së fundit në seancën plenare të 17 shtatorit.

Seanca e zgjatur e 16 shtatorit dëshmoi një përballje nga foltorja e kuvendit mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme të mandatit.

Lulzim Basha, zgjodhi të replikonte duke sjellë në vëmendje çështje që kanë qenë kryefjala e tij pas zgjedhjeve parlamentare si “masakra zgjedhore”.

Seanca e 16 shtatorit

Rama e prezantoi programin e tij qeverisës në sesionin e parë të 16 shtatorit.

Basha, pas një maratone mes ndërprerjesh e shtyrjesh, mbajti fjalën e tij në sesionin e katërt – tetë orë pas kryeministrit.

Kryedemokrati, në fakt, kishte planifikuar të fliste në orën 16:00, me nisjen e sesionit të tretë.

Lulzim Basha në foltoren e kuvendit, 16 shtator 2021

Mirëpo, kryeministri Rama nuk gjendej në sallë në atë çast.

Për këtë arsye, Basha refuzoi të fliste. Kërkesa e Grupit Parlamentar të demokratëve, në emër të tij, ishte “rikthimi i kryeministrit”.

Rama u rikthye rreth orës 18:00.

Beteja e deklaratave

“Demokracia shqiptare, nuk vdiq për shkaqe natyrore. Demokracia shqiptare është vrarë”.

Kështu e nisi fjalën e tij kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në seancën plenare të 16 shtatorit.

Akuza e Bashës është vijimësi e kauzës së “masakrës zgjedhore”. Pretendimi i tij vijon të mos ndryshojë.

Raporti i publikuar më 26 korrik nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), për Bashën, e vërteton – sipas tij – masakrën.

Ai theksoi se demokracia shqiptare ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelet e saj që janë zgjedhjet e lira.

Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në seancën e 16 shtatorit

“Ekzekutori është Edi Rama. Provë e saj është fjalimi që mbajti pas dy mandateve të dështuara, me pasoja tragjike të një keqqeverisje për të penguar, përveç mënyrës së marrjes pushtetit të paligjshme”.

Sipas Bashës, nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar, “ky njeri nuk do të ishte këtu duke treguar përralla, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij”.

“Nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur, për t’iu mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të lirë, askush në bilancin e tij të zi nuk do të kishte shansin të dilte më në këtë foltore, madje as të ishte në sallë duke përsëritur gënjeshtra të reja për të amnistuar krime të reja”.

Basha nuk u fokusua në programin e qeverisë, por vijoi me akuzat duke përmendur raportet ndërkombëtare.

Basha theksoi se Partia Demokratike ka forcën për të sfiduar çdo regjim.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Basha u drejtoi një thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë për ndërtimin e një platforme për rikthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend.

“Ne, në Parlament dhe jashtë tij, nuk do të jemi vetëm gardianët e interesit publik kundër kësaj skote të korruptuar, por duam të jemi instrumenti në duart e qytetarëve për ta realizuar bashkë këtë ndryshim”, theksoi kryedemokrati.

Prezantimi i programit të ri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit, gjatë fjalimit të prezantues për programin e ri qeverisës, u ka mëshuar më shumë arritjeve të reformës në drejtësi.

Ai ka bërë me dije se besojnë te reforma në drejtësi, me vetëdije se rezultati nuk vjen “as shpejt, as kollaj”.

“Duhet një operacion rrënjësor, i gjatë, me durim të pashoq përballë asaj që duket e pamundur. Drita në fund të tunelit – le të kujtohemi se kur u nisëm nuk kishte as tunel – ku gjykatësit e korruptuar bënin kërdinë”, theksoi kryeministri.

Rama shtoi gjithashtu se organet e drejtësisë kanë dalë nga duart e qeverisë dhe krimit.

“Ka pasur ofensiva për të ndalur reformën në drejtësi, duke bërë aksione të pashembullta antikushtetuese, antiqytetare”.

Kryeministri nuk la pa përmendur dhe mbështetjen që do të japë në vazhdim të reformës në drejtësi.

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit të ri, 16 shtator 2021

Programi i titulluar “Shqipëria 2030”, do të ngrihet mbi katër shtyllakryesore: Drejtësia, turizmi, mjedisi dhe mirëqenia.

Dekretimi… tani betimi

Më herët, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi më 14 shtator kabinetin e tretë qeverisës të kryeministrit të zgjedhur të Shqipërisë, Edi Rama.

Ky dekretim erdhi pas kërkesës së 12 shtatorit që Meta bëri në SPAK, për të hetuar pastërtinë e figurave të kabinetit.

Dy ditë pas kërkesës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ktheu përgjigje presidentit, duke shpjeguar se asnjë nga ministrat e “Rama 3” nuk është nën hetim.

Presidenca e Shqipërisë

Meta dekretoi kështu ministrat e rinj, duke i çuar emrat e tyre në Kuvend, nga ku morën edhe votëbesimin e Parlamentit.

Kabineti i ri i Edi Ramës, do të përbëhet nga 15 ministra dhe zëvendëskryeministri. Prej tyre, 12 janë gra dhe vetëm katër burra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore