Shqipëria

Rama prezanton programin, Basha aksionin opozitar


Në të majtë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe në të djathtë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

Në seancën e parë të vërtetë plenare, me debate e diskutime midis palëve, dy qasje radikalisht të kundërta iu rikthyen Kuvendit të Shqipërisë pas dy vjetësh mungesë.

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin e tij qeverisës për katër vjetët e ardhshme të mandatit.

Lulzim Basha, kryedemokrati drejtues i opozitës, zgjodhi që replikat t’i bënte me aksionin e tij opozitar, ku në thelb foli për “masakrën zgjedhore”.

Rama e prezantoi në sesionin e parë të 16 shtatorit programin e tij.

Basha, pas një sage të vërtetë pushimesh e shtyrjesh, e prezantoi aksionin e tij në sesionin e katërt, rreth tetë orë pas kryeministrit.

Kryedemokrati, në fakt, kishte planifikuar të fliste në orën 16:00, me nisjen e sesionit të tretë. Mirëpo, kryeministri Rama nuk gjendej në sallë në atë çast.

Për atë arsye, Basha refuzoi të fliste. Kërkesa e Grupit Parlamentar të demokratëve, në emër të tij, ishte “të rikthehet kryeministri”.

Ky i fundit u rikthye rreth orës 18:00. Replikën e Bashës e mori pak minuta më pas.

“Shqipëria 2030”

Në fillim të dekadës së tretë të shekullit të XXI-të, kryeministri vizionin e ka të qartë për nëntë vitet e ardhshme.

Programi nuk është thjesht katërvjeçar. Programi është ai i “Shqipërisë 2030”.

Shtylla ka shumë, por kryesoret janë katër: Drejtësia, turizmi, mjedisi dhe mirëqenia.

Rama e pranoi se Reforma në Drejtësi kërkon kohë. Por angazhimin e devotshëm ndaj saj, nuk do ta ndalë.

Mbi turizmin, kryeministri është i qartë: Brenda vitit 2030, kampionë të padiskutueshëm të Ballkanit Perëndimor në turizëm – këtë zotim, ai e ka marrë përsipër që më parë, kur filloi edhe një aksion për pastrimin e bregdetit nga ndërtimet pa leje dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit me të ardhura kaq të mëdha për Shqipërinë.

Pikërisht pastrimi i bregdetit do të vijojë me dorë të hekurt edhe gjatë mandatit të tretë.

Me po aq dorë të hekurt, do të jetë edhe mirëmbajtja e mjedisit. Pastrimi do të shihet fije e për pe në çdo bashki.

Për Ramën, “kush i lë qytetarët në një vend të papastër, nuk përfton asnjë grant dhe investim”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezanton programin qeverisës “Shqipëria 2030”

Ndërsa rritja e pagave do të jetë minimalisht me 40%. Arsimtarët, personeli shëndetësor, administrata publike, të gjithë do të përftojnë nga rritja e rrogave. Minimalja, nga 30 mijë lekë, do të shkojë në 40 mijë brenda mandatit, sipas programit kryeministror.

Pensionistët do të shohin po ashtu rritje, apo shpërblime, të munguara dhe borxh ndaj tyre, sipas kreut të Qeverisë, për shkak të tërmetit dhe pandemisë.

Plaga e demokracisë

25 prilli ka qenë një pikë kyçe për rrjedhën politike të Lulzim Bashës, pasi ai humbi të dytat zgjedhje parlamentare radhazi. Mirëpo, përtej humbjeve të njëpasnjëshme, “masakra zgjedhore” është kauza e vërtetë e Bashës në Parlament.

Praktikisht, kryeopozitari zgjodhi të mos e komentonte aspak programin qeverisës, por të përqendrohej në atë që ai e quajti “demokraci të vrarë”.

Kryedemokrati, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij në Parlament

Basha, këtë pretendim për “masakrën zgjedhore”, e ka ngritur që pas raportit të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), të datës 26 korrik 2021, mbi zgjedhjet e 25 prillit.

Në themel, për këtë “ekzekutim” të demokracisë që Basha flet, faji i atribuohet Edi Ramës. Sipas kreut të selisë blu, keqqeverisja e Ramës, ka qenë pasoja më tragjike për vendin.

Gjithsesi, Basha bëri një ftesë të hapur për qytetarët. Një partneritet, i cili do të zhbëjë masakrën e pretenduar nga kryeopozitari.

Në këtë stinë të re politike, për Bashën, asgjë nuk ka për të qenë si më parë.

Të hapur e të mbyllur për “Open Balkan”

Ka qenë vetëm një pika e përbashkët me replika direkte, midis dy rivalëve politikë në Shqipëri dhe ajo lidhet drejtpërdrejt me gjithë rajonin: “Open Balkan”.

Në mëngjes, Rama e nisi me replikë ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili është kundër nismës rajonale.

Basha, nga ana tjetër, u rreshtua krah kreut të Qeverisë së Kosovës.

Që prej ngjizjes së projektit ballkanik, Kurti pat deklaruar se ajo i leverdis vetëm Serbisë dhe se ky projekt rimishëronte një Jugosllavi moderne me Shqipërinë në të.

Kryeministri Rama i ka hedhur poshtë qëmoti këto akuza. Por sot, ai e përsëriti qartësisht: “Ballkani i Hapur nuk është një lojë e Serbisë, as një konspiracion rus dhe kinez për të ringjallur Jugosllavinë”.

Të kundërtën pretendon Basha sakaq, i cili e mendon si Kurti.

Duke e quajtur si nismë të “Novi Sadit”, Basha i doli krah Procesit të Berlinit dhe jo “Open Balkan”.

Si një mundësi për foto e sheh kryedemokrati implementimin e katër lirive themelore të Bashkimit Evropian në Ballkan.

Kreu i PD-së mendon gjithashtu se e vetmja gjë, për të cilën do të mbahet nisma, do të jetë mbi sulmet që Rama ka bërë ndaj Kosovës.

Me maratonën parlamentare që vazhdon, rreth 20 orë debate janë parashikuar. Nëse do të përmbyllen brenda natës, apo me ndërprerje për të rifilluar të nesërmen, kjo mbetet për t’u parë.

E vetmja gjë e sigurt, është se Parlamenti – dhe debati parlamentar – është rikthyer aty ku mbeti dy vjet më parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore