Shqipëria

Ora 10:00, betimi i kabinetit Rama para Metës


Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit do të betohen ditën e nesërme para Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Mësohet se ceremonia e betimit do të bëhet në orën 10:00 në Presidencë.

Pas një seance maratonë që zgjati 20 orë, qeveria e re “Rama 3” ka marrë votëbesimin e Kuvendit të Shqipërisë në orët e para të 17 shtatorit.

Votimi është përmbyllur me 77 vota pro, 53 kundër dhe vetëm 1 abstenim.

Në fjalën e tij ndërhyrëse gjatë seancës së 17 shtatorit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u gjend përpara një “bojkoti” unanim të Partisë Demokratike e cila u largua nga salla e kuvendit.

Seanca e zgjatur e 16 shtatorit dëshmoi një përballje nga foltorja e kuvendit mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama prezantoi programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme të mandatit.

Lulzim Basha, zgjodhi të replikonte duke sjellë në vëmendje çështje që kanë qenë kryefjala e tij pas zgjedhjeve parlamentare si “masakra zgjedhore”.

Më herët, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dekretoi më 14 shtator kabinetin e tretë qeverisës të kryeministrit të zgjedhur të Shqipërisë, Edi Rama.

Ky dekretim erdhi pas kërkesës së 12 shtatorit që Meta bëri në SPAK, për të hetuar pastërtinë e figurave të kabinetit.

Dy ditë pas kërkesës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ktheu përgjigje presidentit, duke shpjeguar se asnjë nga ministrat e “Rama 3” nuk është nën hetim.

Meta dekretoi kështu ministrat e rinj, duke i çuar emrat e tyre në Kuvend, nga ku morën edhe votëbesimin e Parlamentit.

Kabineti i ri i Edi Ramës, do të përbëhet nga 15 ministra dhe zëvendëskryeministri. Prej tyre, 12 janë gra dhe vetëm katër burra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore