Shqipëria

‘Shqipëria 2030’, e drejtësisë, turizmit, pastërtisë dhe mirëqenies


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit, gjatë fjalimit të prezantues për programin e ri qeverisës, u ka mëshuar më shumë arritjeve të reformës në drejtësi.

Ai ka bërë me dije se besojnë te reforma në drejtësi, me vetëdije se rezultati nuk vjen “as shpejt, as kollaj”.

“Duhet një operacion rrënjësor, i gjatë, me durim të pashoq përballë asaj që duket e pamundur. Drita në fund të tunelit – le të kujtohemi se kur u nisëm nuk kishte as tunel – ku gjykatësit e korruptuar bënin kërdinë”, theksoi kryeministri.

Ai shtoi gjithashtu se organet e drejtësisë kanë dalë nga duart e qeverisë dhe krimit.

“Ka pasur ofensiva për të ndalur reformën në drejtësi, duke bërë aksione të pashembullta antikushtetuese, antiqytetare”.

Kryeministri nuk la pa përmendur dhe mbështetjen që do të japë në vazhdim të reformës në drejtësi.

Arsim dhe digjitalizim

Pjesë e fjalimit të Ramës ishte edhe mbështetja për arsimin dhe digjitalizimin.

“Mbështesim kapacitetin digjital të këtij vendi, lidhur me dokumente për qytetarët dhe sipërmarrjet. Për të garantuar siguri, ne do të dhurojmë 10 milionë euro mbështetje buxhetore në mbështetje të të rinjve lidhur me start-up”.

Numri një i qeverisë theksoi se do të investohet në mbështetjen e idesë së hapjes së strukturuar për universitetet publike.

“Do të ketë bashkëpunim me ato evropiane, deri edhe për diploma të njehsuara. Mbrojtja e së ardhmes së kërcënuar të mjedisit, do të na përfshijë shumë më tepër gjatë këtij mandati. Duke filluar nga kopshtet, shkollat e deri tek universitetet”.

“Duam ta bëjmë Shqipërinë e 2030-ës, kampione absolute të turizmit”.

Ky ishte mesazhi i kryeministrit për sa i përket fushës së turizmit.

“Numri i madh i turistëve do të jetë një kambanë alarmi për turizmin, për cilësinë, për pastërtinë. Nga janari i vitit të ardhshëm, nis një plan i ri. Vija bregdetare është një mrekulli e Zotit. Duhet të kemi përgjegjshmëri patriotike shqiptare, jo me urrejtje për kombet e tjera, por me dashurinë për vendin tonë”, tha Rama.

Ai njoftoi se, më 1 qershor 2022, në Shqipëri nuk do të ketë më asnjë qese plastike.

“Një Shqipëri e pavarur prej tyre, do të jetë shumë më e gatshme për të ardhmen. Sanksione me zero tolerancë për përdorimin e tyre. Nuk jemi të parët që e bëjmë, por duhet të ishim të parët që e bëjmë. Mos kërkoni asnjë lëshim nga qeveria. Keni 9 muaj kohë për të ndryshuar linjën e prodhimit”.

Portet dhe bashkitë

Rama, në vijim të prezantimit të programit të ri qeverisës, tha se turizmi do të hyjë në një fazë historike, pasi do ta nisë puna për ndërtimin e katër porteve historike.

“Do të nisë puna për katër kantieret e porteve turistike, Sarandë, Vlorë, Durrës dhe Shëngjin. Dy aeroporte të reja ndërkombëtare, brenda vitit do të hapet kantieri dhe në Sarandë do të shpallet projekti”. 

Kreu i qeverisë theksoi se ky do të jetë mandati i kantierit të korridorit blu, më i madhi, ku në harkun e pesë viteve do të kemi një autostradë nga Muriqani në Fier, duke kaluar përmes Milotit, Thumanës dhe Rrogozhinës.

“Kemi pritur gjatë, që ky projekt të financohej edhe nga BE, por nuk do të presim, do të vijojmë punën. Në këtë mandat do vendosim pikat mbi në atë pjesë të akseve të mbetura të pazhvilluara”, tha ai.

Fondet për Bashkitë, bëri me dije Rama, do të vijojnë të shpërndahen sipas performancës së bashkive.

“Rritja e konsumit nuk mund të shoqërohet nga rritja e papastërtisë. Bashkitë, që nuk pastrojnë plehra, nuk do të marrin asnjë grant. Komuniteteve që nuk u garantohet pastërtia, kryebashkiakët u detyrohen shpjegime”.

Ndërtimet pa leje ishin gjithashtu “fokus” i Ramës.

“Nuk e tolerojmë më mbylljen e syve ndaj ndërtimeve pa leje. Ato do të jenë shënjestra kryesore e kësaj Qeverie”, ravijëzoi ai.

Rritje pagash për arsimtarët, administratën dhe artistët

Rama njoftoi se do të ketë rritje të pagave të arsimtarëve dhe punonjësve në administratë.

“Unë nuk premtoj gjëra që nuk bëhen. Për gjithçka kemi premtuar, do të bëjmë çmos për t’i realizuar. E konfirmoj sërish sot, se do të rrisim pagën e edukatoreve, mësuesve, mjekëve me 40%. Do të rriten pagat në administratë”.

Gjithashtu përfitues të planit do të jenë dhe artistët. Sipas kryeministrit, paga e artistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë do të dyfishohet brenda vitit të ardhshëm.

Plan në tryezë për pensionistët

Rama theksoi se do të ketë një angazhim të madh për të gjithë pensionistët, duke bërë të mundur rritjen e pensioneve.

“Në fushatë nuk kemi premtuar asgjë, as për pensionistët, jo se nuk e dimë që ata nuk e meritojnë të shpërblehen. Nuk kemi mundur dot dhe nuk mundemi akoma dot, sepse honi kërcënues i hapur për shumë e shumë vite nga skema e njohur e pensioneve”.

Ai bëri me dije se ka një plan në tryezë për ta.

“Do të jetë dita më e bukur e jetës sime publike dhe politike të marr shpërblim buzëqeshjen e tyre të bekuar, për një rritje të konsiderueshme të pensioneve të tyre. Ju lutem mos e quani premtim përpara Kuvendit, por një angazhim solemn për të bërë gjithçka që është e mundur. Ia vlen të bëjmë maksimumin”, tha Rama.

Në sallën e Kuvendit, ndërkohë që kryeministri Rama ishte duke prezantuar programin, e pranishme ishte dhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore