Shqipëria

Meta dekreton Qeverinë “Rama 3”


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar kabinetin qeverisës të tretë të Kryeministrit të zgjedhur të Shqipërisë, Edi Rama.

Ky dekretim vjen pas kërkesës së 12 shtatorit që Meta bëri në SPAK, për të hetuar pastërtinë e figurave të kabinetit.

Sot, dy ditë pas kërkesës, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ktheu përgjigje presidentit, duke shpjeguar se asnjë nga ministrat e “Rama 3” nuk është nën hetim.

Me këtë fakt në dorë, Meta dekreton kështu ministrat e rinj, duke i çuar emrat e tyre në Kuvend për të marrë votëbesimin e Parlamentit.

Kabineti i ri i Edi Ramës, përbëhet nga 15 ministra dhe zëvendëskryeministri. Prej tyre, 12 janë gra dhe vetëm katër burra.

Më 11 shtator, kryeministri Rama do të dekretohej nga Meta si Kryeministër i Shqipërisë për të tretin mandat radhazi.

Ndryshe nga sa mendohej për shkak të replikave të vazhdueshme në distancë midis dy politikanëve, Meta nuk ka bërë asnjë retorikë politike mbi dekretimin e Ramës si kryeministër dhe kabinetit të tij.

Madje, që prej zgjedhjes së Lindita Nikollës në krye të Kuvendit, Meta ka bërë thirrje për qetësi dhe për të shmangur bojkotet. Sipas tij, me rëndësi në këtë çast është të vijohen reformat bashkëpunuese në të mirë të Shqipërisë.

Thënë kjo, fjala i kalon Parlamentit për t’i votëbesuar ministrat e rinj. Ndërsa, nga opozita, pritet i njëjti bojkot me dy seancat e para, ku nuk u votua as kryeparlamentarja e re dhe as vendimi për krerët e komisioneve të përhershme në Parlament.

Por, kush janë ministrat e rinj në “Rama 3”?
Arben Ahmetaj/ Zëvendëskryeministër
Arben Ahmetaj/ Zëvendëskryeministër

Arben Ahmetaj spikati fillimisht në nisjen e karrierës së tij politike përballë kreut aktual të demokratëve, Lulzim Basha, kur në vitin 2005 garoi përballë tij në sistemin mazhoritar në njësinë numër 7 në Tiranë.

Pavarësisht humbjes përballë Bashës, gara e Ahmetajt u vlerësua menjëherë.

Në vitin 2009, ai u zgjodh për herë të parë deputet në qarkun e Korçës. Prej asaj dite, Ahmetaj ka qenë pjesë përbërëse e Grupit Parlamentar socialist.

Rritja e tij erdhi graduale si brenda PS-së, ashtu edhe brenda Qeverisë. Në periudhën 2013-2016, ai mbajti postin e ministrit të  Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Më pas, prej shkurtit 2016 deri në janar 2019, ai mori në dori financat e shqiptarëve. Prej dhjetorit 2019 mori rolin e ministrit të Shtetit për rindërtimin. Ndërsa tashmë, do të ushtrojë funksionin e zëvendëskryeministrit.

Ulsi Manja/ Ministër i Drejtësisë
Ulsi Manja/ Ministër i Drejtësisë

Ulsi Manja ka një veprimtari të pasur profesionale në fushën e drejtësisë. Ai ka punuar prej vitit 1996 në detyra të ndryshme pranë gjykatave, prokurorive apo si avokat.

Pjesë e socialistëve është bërë në vitin 2009 duke konkuruar në Dibër. Ndërsa, deputet, është zgjedhur për të parën herë në zgjedhjet e 23 qershorit 2013.

Prej atëherë ka mbajtur poste të tillë si drejtues i Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është hera e parë që Manja vendoset në një post ministror. Tashmë në dorë, ka drejtësinë, për reformën e së cilës ka qenë ndër deputetët kryesorë.

Niko Peleshi/ Ministër i Mbrojtjes
Niko Peleshi/ Ministër i Mbrojtjes

Niko Peleshi e ka nisur karrierën politike si prefekt i Korçës fillimisht, në vitin 2004. Më pas, ai u zgjodh në Këshillin Bashkiak të Korçës e në vitin 2007, arriti të merrte Bashkinë e qytetit juglindor.

Do ta drejtonte këtë parti deri në vitin 2013, kur mori postin e zëvendëskryeministrit.

Ai do të caktohej në këtë pozitë menjëherë pas marrjes së mandatit të parë. Këtë post do ta mbante për gjithë plotësinë e mandatit të parë qeverisës socialist. Më pas, në vitin 2017, do të merrte postin e ministrit të Bujqësisë, pas zgjedhjes si deputet i qarkut të Korçës.

Bujqësinë do ta drejtonte deri në vitin 2019. Ndërsa, pas dy vjetësh si deputet i thjeshtë, u caktua në janar 2021 si ministër i Mbrojtjes. Tashmë, ai rikonfirmohet në këtë detyrë.

Bledar Çuçi/ Ministër i Brendshëm
Bledar Çuçi/ Ministër i Brendshëm

Bledar Çuçi është një emër relativisht i ri në politikën shqiptare, pasi vetëm në vitin 2019 ai do të merrte pozitën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, post të cilin do ta mbante deri në dhjetor 2020.

Me tërheqjen e Sandër Lleshajt nga Ministria e Brendshme në dhjetor 2020, Çuçi mori postin e ministrit të Brendshëm. Në mandatin “Rama 3”, ai do të vijojë të ushtrojë këtë funksion.

Olta Xhaçka/ Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
Olta Xhaçka/ Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme

Olta Xhaçka është deputete e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 2009, kur arriti të fitojë mandatin e parë nën logon e Partisë Socialiste.

U deshën tetë vjet që ajo të arrinte të ngjiste shkallët drejt një posti ministror. Fillimisht, në mars 2017, ajo u caktua si ministre për Çështjet Sociale dhe Rininë.

Më pas, në shtator 2017, ajo kaloi tek Ministria e Mbrojtjes, post të cilin e mbajti deri në janar 2021.

Prej kësaj kohe, ajo drejton diplomacinë shqiptare dhe rikonfirmohet në detyrë.

Ogerta Manastirliu/ Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Ogerta Manastirliu/ Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ogerta Manastirliu është ndër prurjet e mandatit të dytë të Edi Ramës. Ajo u caktua në mars 2017 në krye të shëndetësisë shqiptare, përpara përmbylljes së mandatit të parë të Qeverisë Rama.

Prej asaj kohe, Manastirliu ka qenë në krye të kësaj ministrie, duke u përballur edhe me një ndër sfidat më të mëdha, atë të pandemisë së krijuar nga virusi COVID-19.

E rikonfirmuar tashmë për të dytin mandat radhazi, si deputete dhe ministre.

Belinda Balluku/ Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Belinda Balluku/ Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

Belinda Balluku ka qenë prej vitit 2013 drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë, njohur si ALBCONTROL.

Ndërsa ka qenë pjesë aktive e Bashkisë së Tiranës nën drejtimin e Edi Ramës dhe e Partisë Socialiste po ashtu, ajo erdhi në post të rëndësishëm vetëm në janar të vitit 2019, kur mori në drejtim Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Post, të cilin do të vijojë ta mbajë në Qeverinë “Rama 3”.

Delina Ibrahimaj/ Ministre e Ekonomisë dhe Financave
Delina Ibrahimaj/ Ministre e Ekonomisë dhe Financave

Delina Ibrahimaj nuk vjen nga skena politike shqiptare.

Ajo ka ushtruar funksione me rëndësi si atë të drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Statistikave për periudhën 2016-2019 dhe atë të drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve.

Ky është posti i parë ministror që i kalon asaj, pa qenë deputete e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë.

Evis Kushi/ Ministre e Arsimit dhe Sportit
Evis Kushi/ Ministre e Arsimit dhe Sportit

Evis Kushi është zgjedhur për herë të parë si deputete në vitin 2013. Që prej asaj kohe, ajo e ka mbajtur ulësen e saj në Kuvend.

E ardhur nga një karrierë e pasur akademike, Kushi mori drejtimin e Arsimit shqiptar në shtator 2020. Këtë post, ajo do ta mbajë edhe gjatë qeverisjes së re.

Frida Krifca/ Ministre e Bujqësisë
Frida Krifca/ Ministre e Bujqësisë

Frida Krifca ka një përvojë 22-vjeçare në fushat e administrimit dhe menaxhimit, duke kulmuar në vitin 2017, kur mori detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).

E ardhur në kabinet pa një sfond politik, jo si deputete, Krifca do të drejtojë dikasterin që kontrollon sektorin më të madh të ekonomisë shqiptare, atë të bujqësisë.

Mirela Kumbaro/ Ministre e Turizmit dhe Mjedisit
Mirela Kumbaro/ Ministre e Turizmit dhe Mjedisit

Mirela Kumbaro vjen nga sfera akademike shqiptare. në vitin 2013, ajo u përfshi politikisht duke marrë postin e ministres së Kulturës, pa qenë e zgjedhur si deputete në Parlament.

Në vitin 2017 ajo fitoi karrigen parlamentare, duke mbajtur edhe postin ministror, deri në janar 2019.

Kumbaro ka qenë pjesë aktive e politikës shqiptare dhe tashmë do të marrë përsipër drejtimin e turizmit shqiptar.

Elva Margariti/ Ministre e Kulturës
Elva Margariti/ Ministre e Kulturës

Elva Margariti nuk ka aspak sfond politik në karrierën e saj. Ajo u bë e njohur kur mori postin e Ministres së Kulturës në janar 2019. Edhe pse nuk qe pjesë e listës së socialistëve për deputetë, ajo u rikonfirmua në krye të kësaj Ministrie.

Elisa Spiropali/ Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin
Elisa Spiropali/ Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin

Elisa Spiropali ka qenë e angazhuar me politikë që në moshën 16-vjeçare, kur filloi angazhimet me Forumin Rinor Eurosocialist Shqiptar.

Në vitin 2013, ajo u zgjodh për herë të parë si deputete në Parlament. Prej asaj kohe, nuk e ka humbur më mandatin. Ndërsa në janar 2019, mori drejtimin e Ministrisë së shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Këtë post, do ta mbajë edhe këtë mandat.

Milva Ekonomi/ Ministre për Standardet dhe Shërbimet
Milva Ekonomi/ Ministre për Standardet dhe Shërbimet

Milva Ekonomi ka qenë aktive në politikë prej vitesh, por emër mori në vitin 2013, kur u vendos në postin e zëvendësministres së Shëndetësisë.

Më pas, në vitin 2016-2016, ajo shërbeu si ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Në vitin 2017 ajo zgjidhet si deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe në 2020-ën caktohet si ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Tashmë, Ekonomi zhvendoset në një tjetër Ministri – pa portofol – të sapo krijuar, atë të Standardeve dhe Shërbimeve.

Edona Bilali/ Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
Edona Bilali/ Ministre për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Edona Bilali është një ndër prurjet më të reja në politikën shqiptare. Ajo ka qenë pjesë e botës së biznesit, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit 2021, kryesoi listën e qarkut Shkodër për Partinë Socialiste.

Me marrjen e mandatit të deputetes, tashmë Bilalit i jepet dhe mundësia të drejtojë një Ministri pa portofol, e cila lidhet tërësisht me profilin e saj.

Bora Muzhaqi/ Ministre për Rininë dhe Fëmijët
Bora Muzhaqi/ Ministre për Rininë dhe Fëmijët

Bora Muzhaqi është sërish ndër prurjet e reja të Edi Ramës në politikën shqiptare. Ajo shërbeu për pak kohë si zëvendësministre e Arsimit, Sportit e Rinisë.

Tashmë, me ndarjen e ministrisë në dysh, pjesa e rinisë i ka kaluar Muzhaqit në Ministrinë e katërt pa portofol.

Kjo është Qeveria e parë në historinë e Shqipërisë me një përbërje kaq të theksuar për nga gratë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore