Lajme

Von Der Leyen: Ukrainasit i përkasin familjes evropiane


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, ka ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Ukrainës.

Ajo ka thënë se “nuk ka dyshim që këta njerëz të guximshëm që mbrojnë vlerat tona me jetën e tyre i përkasin familjes evropiane”.

Sipas saj, blloku mund t’u sigurojë refugjatëve ukrainas mbrojtje, qëndrim, qasje në punë dhe strehim, duke shtuar se “nuk është vetëm një akt dhembshurie në kohë lufte, por edhe detyra jonë si evropianë”.

Thuajse një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina që prej nisjes së pushtimit rus.

Prandaj dhe Von Der Leyen ka njoftuar krijimin e një “qendre të mbrojtjes civile për Ukrainën”, me bazë në Rumani, për të ndihmuar me nevojat humanitare.

Gjithashtu iu është drejtuar radhëve të gjata të njerëzve në kufirin polak, duke treguar se “kanë nxjerrë udhëzime për menaxhimin e kufirit”.

‘Kjo është për të thjeshtuar formalitetet në kufi dhe për t’u mundësuar njerëzve që të marrin një strehë sa më shpejt”, ka sqaruar ajo.

Von der Leyen ka shtuar se “po ofrojmë mbështetje humanitare për t’u përballur me pasojat e kësaj lufte” dhe se “do të shpërndajmë të paktën 500 milionë euro nga buxheti i BE-së në ndihmë humanitare”.

Sakaq, ka vijuar se ndihmat nuk do të ndalen me kaq.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore