Lajme

Vizitat diplomatike – të cilat do “përplasen” në Evropë


Nga e majta, udhëheqësi i autoritetit të punëve të jashtme të Tajvanit, Joseph Wu dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi

Dy misione diplomatike, ai kinez dhe tajvanez, do të kenë një “përplasje” agjendash pikërisht në Evropë.

Udhëheqësi i Autoritetit të Punëve të Jashtme të Tajvanit, Joseph Wu, ka nisur udhëtimin e tij zyrtar të dielën e 24 tetorit drejt Evropës.

Në agjendën e tij janë parashikuar disa vizita në vendet e Evropës Qendrore, saktësisht Sllovakia dhe Republika Çeke.

Përpara se të niste turin e tij të parë drejt Evropës, Wu shkroi në Twitter se ishulli i Tajvanit, Republika Çeke dhe Sllovakia, “aspirojnë në mënyrë të ngjashme lirinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit” dhe, “së bashku do të bëhen forca të pandalshme”.

Udhëheqësi i autoritetit të punëve të jashtme të Tajvanit, Joseph Wu

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, lajmëronte se ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, do të vizitojë Greqinë, Serbinë, Shqipërinë dhe Italinë në datat 27 dhe 29 tetor.

Ky njoftim u konfirmua dhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë për Albanian Post.

“Vizita në Shqipëri e ministrit Yi është parashikuar në agjendën zyrtare për datën 29 tetor”.

Sipas zëdhënësit, Yi po udhëton me ftesë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, ministrit të Jashtëm serb, Nikola Selakoviç, ministres së Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka, dhe ministrit të Jashtëm italian, Luigi Di Maio.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi
Qasjet paraprake të takimeve

Më 13 tetor, Komisioni i Senatit Çek për Punët e Jashtme, Mbrojtjen dhe Sigurinë miratoi një rezolutë për të forcuar bashkëpunimin me Tajvanin.

Wu u ftua, më pas, të vizitonte vendin.

Së bashku me Wu, kreu i “Këshillit Kombëtar të Zhvillimit” të ishullit, Kung Ming-hsin, kryesoi një delegacion prej 66 zyrtarësh për të “rritur lidhjet tregtare dhe ekonomike me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore”.

Gjatë takimit të 27 tetorit mes zyrtarëve grekë dhe ministrit kinez u kërkua zgjerimi i investimeve kineze në Greqi.

Kompania kineze, Cosco Shipping, zotëron 67% të Autoritetit Portual të Pireut të Greqisë, një nga portet më të mëdha në Evropë.

“Ne presim me pa durim projekte të reja investimi në portin më të madh të Mesdheut, një nga më të mëdhenjtë në botë”, tha ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pas takimit të tij me Wang në kryeqytetin grek.

Dendias vuri në dukje se ai e kishte informuar homologun e tij kinez mbi “zhvillimet veçanërisht shqetësuese në Mesdheun Lindor”.

Raportet BE-Tajvan

Udhëtimi i autoriteteve tajvaneze në Evropë flet shumë për ndryshimin e qëndrimeve ndaj Tajvanit në Bruksel.

Strategjia Indo-Paqësore e BE-së, e publikuar muajin e kaluar, bëri thirrje për ndjekjen e “marrëdhënieve të thella tregtare dhe investimeve” me Tajvanin.

Parlamenti Evropian shkoi një hap më tej të enjten, me miratimin e një rezolute jodetyruese që rekomandon lidhje më të forta politike me ishullin si një “partner kyç” në Indo-Paqësor.

Rezoluta bën thirrje për ndryshimin e emrit të Zyrës Ekonomike dhe Tregtisë Evropiane në Tajvan në “Zyrën e Bashkimit Evropian në Tajvan”.

Sipas rezolutës, kjo gjë do të përbënte një përmirësim të statusit të saj.

Shefja e politikës digjitale të Komisionit Evropian, Margrethe Vestager

Shefja e politikës digjitale të Komisionit Evropian, Margrethe Vestager, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të gjerë me Tajvanin për BE-në.

“Brukseli do të vazhdojë të mbështesë sistemin e qeverisjes së Tajvanit, bazuar në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, shoqërinë e saj të hapur dhe ekonominë e tregut”, tha Vestager.

Raportet BE-Kinë

Më herët, Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përkeqësoi retorikën e bllokut ndaj Kinës.

“Kërcënimet e autoriteteve kineze ndaj ishullit vetëqeverisës mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë evropiane”, deklaronte Borrell.

Zyrtari i lartë ngriti shqetësimin për përshkallëzimin e aktiviteteve ushtarake të Pekinit zyrtar në ngushticën e Tajvanit.

Rreth 150 avionë ushtarakë kinezë hynë në hapësirën ajrore të Tajvanit midis ditëve kombëtare në Pekin dhe Taipei, të dyja në fillim të tetorit.

Ky fjalim shënonte fundin e rezervës diplomatike të BE-së mbi çështjen e ndjeshme të Tajvanit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel

Por kjo erdhi pas një përballjeje në distancë mes presidentit Xi Jinping dhe presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Kina do ta mbrojë me vendosmëri sovranitetin e vet”, do të shprehej Xi Jinping.

Ndërsa, Michel do të kundërpërgjigjej në Twitter.

“Për marrëdhëniet BE-Kinë, pavarësisht dallimeve, dialogu mbetet vendimtar. Ramë dakord të mbajmë samitin BE-Kinë dhe të forcojmë dialogun tonë”, shkroi ai, pa dhënë asnjë datë.

Sa i takon përplasjeve Kinë-Tajvan, Vestager do të deklaronte më pas në Parlamentin Evropian se “këto shfaqje të forcës mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe prosperitetin evropian”.

“Ne, evropianët, kemi interes mbi ruajtjen e status quo-së në ngushticën e Tajvanit. Bashkimi Evropian inkurajon të gjithë të përfshihen në një dialog dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të rrisë tensionet rreth ngushticës”, përmbyllej fjalimi i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore