Lajme

Vitia tallet me programin e Ramës, ky i fundit i kërkon të garojnë me plane konkrete


Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, dhe kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, e ka ftuar kandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, që të bëj garë me plane konkrete, e jo “me kopje të plogështa”.

“E ftoj atë të bëjë garë më plane konkrete dhe projekte serioze e jo me kopje të plogështa e me hajgare”, u shpreh Rama.

Kjo, pasi që Vitia përmes një videoje të shpërndarë në rrjetin Facebook, ka ironizuar me planin e kundër kandidatit të tij, Përparim Rama.

Vitia në këtë video material, e ka shpalosur planin e tij për qendrën duke u tallur me idenë e kundër kandidatit, Përparim Rama për rrënim të Stadiumit “Fadil Vokrri”.

“Na duhet shumë hapësirë për parkun, prandaj do ta rrënojmë Pallatin e Rinisë, do ta rrënojmë stadiumin. Natyrisht se nuk do i rrënojmë, natyrisht se këto janë monumente shumë të rëndësishme të historisë sonë që ne do i mirëmbajmë”, është shprehur Vitia.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia

Kjo shaka erdhi pas deklarimeve të kandidatit Rama se do bëjë një liqe artificial te stadiumi i qytetit “Fadil Vokrri”.

Ndërkaq, Rama, ka mbajtur konferencë për media, me ç’ rast ka shpalosur në detaje projektin e tij “Ridefinimi i Qendrës”, duke u fokusuar në ndërtimin e platformës së gjelbëruar ndërlidhëse prej Pallatit të Rinisë, përmbi rrugën kryesore e deri tek lagjja Arbëria për të vazhduar deri tek Sheshi Zahir Pajaziti.

Sipas, Ramës, vlera e këtij projekti është 35 milionë euro, prej të cilave 20 milionë do të sigurohen nga fondet IPA (për sallën koncertale) dhe 15 milionë të tjera nga investimet publiko-private për parkingjet nëntokësore dhe për shiritin komercial.

Po ashtu, Rama theksoi se projekti në fjalë do të realizohet brenda tre vjetëve.

“Projekti ynë i ri-definimit të qendrës parasheh ndërtimin e platformës së gjelbëruar ndërlidhëse prej Pallatit të Rinisë, përmbi rrugën kryesore e deri tek lagjja Arbëria”, ka thënë para mediave Rama.

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama

“Fatkeqësisht, jeni duke parë prej kundër kandidatit copëza të kopjuara prej projekteve të programit tonë, e të kthyera në video të shtrenjta për ta mashtruar qytetarin”, shtoi ai.

Sipas Ramës, kjo dëshmon “që pushteti aktual, i cili deri me tani as nuk veproi, e as nuk e përmendi parkun qendror, u kujtua për këtë projekt VETËM pasi u planifikua dhe u prezantua nga ne”.

“Kjo, po ashtu dëshmon se kundër kandidati im, përveç se nuk ka njohuri për të krijuar një plan konkret për kryeqytetin, nuk do të ishte as i aftë për ta realizuar atë”, potencoi Rama.

Derisa shtoi se postet publike “janë përgjegjësi serioze dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, dhe si të tilla duhet të merren me seriozitetin më të madh e jo me hajgare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore