Lajme

Viktima e Bucha-s: Trupat ruse më rrahën, më bënë dush me naftë


Në mes të marsit, dy javë pasi trupat ruse hynë në Bucha me shpresën për të lëvizur më në juglindje në kryeqytetin ukrainas Kiev, Viktor ishte duke ecur në shtëpi.

Ushtarët, të armatosur gjer në dhembë, e ndaluan. Ata i kërkuan dokumentet e identifikimit. Më pas, i morën çantën e shpinës, nga ku gjetën celularin e Viktor-it.

“Me sa duket, fotot e ushtarëve rusë dhe tanket e tyre të djegura i shqetësuan ata”, ka deklaruar për Al Jazeera, Viktori.

Atij nuk i kishte shkuar kurrë në mendje se një shëtitje – rrugës për shtëpi – do t’i kthehej në torturën më të madhe që do të përjetonte.

“Ajo që erdhi më pas ishte një raund torturash”, theksoi Viktor, i cili i kërkoi Al Jazeera-s të ruanin anonimatin.

Për shkak të rezistencës së ashpër të Ukrainës, trupat ruse u bllokuan brenda dhe rreth qytetit me 37 mijë banorë, afërsia e të cilit me Kievin shkaktoi një bum ndërtimi në vitet e fundit.

Sipas të mbijetuarve, zyrtarëve ukrainas, grupeve të të drejtave të njeriut dhe raporteve të medias, ushtarët përdorën tortura pa dallim, arbitrare dhe të pakuptimta, si dhe vrasjeve, përdhunime apo plaçkitjeve të civilëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka frikë se në qytet janë ekzekutuar rreth 300 njerëz, “mes të cilëve”, thotë Viktor, “mund të isha edhe unë”.

Ndër të tjera, ai shpjegon se, ndonëse u “thashë se isha një civil, po shkoja në shtëpi dhe nuk mora asnjë pjesë në aksionin ushtarak”, deklaroi ai në një intervistë telefonike nga shtëpia e fqinjit të tij në Bucha.

Rusët vendosën të mos e linin të shkonte.

Në vend të kësaj, ata e çuan atë në një nga selitë e tyre në rrugën “Yablunska”, e cila përgjysmon Bucha dhe të çon në Irpin, një tjetër periferi e Kievit ku janë raportuar vrasje masive të civilëve.

Trupat në rrugë

Në fillim të prillit, dhjetëra trupa të civilëve të vrarë nga ushtarët rusë u gjetën në rrugën “Yablunska”.

“Gjashtë i kishin duart e lidhura pas shpine”, thanë zyrtarët. Njëzet e dy të tjerë u nxorën nga makinat e tyre dhe u qëlluan për vdekje, pasi u përpoqën të largoheshin nga Bucha.

Kremlini ka mohuar përgjegjësinë për vrasjet, duke e quajtur masakrën e dukshme një “prodhim” të organizuar nga ukrainasit, pasi forcat ruse u tërhoqën nga Bucha më 30 mars.

Viktor i tha se selia e Rusisë në Bucha ishte në një shtëpi private me porta të përparme të shkatërruara, të rrethuar nga automjete të blinduara.

Një oficer atje ekzaminoi përsëri telefonin e tij dhe pa sendet e fshira së fundi.

Oficeri vuri re një video të një kolone ruse në lëvizje që Viktori kishte regjistruar, kur forcat ruse hynë në Bucha në fund të shkurtit, por u fshi më vonë.

Ushtarët rusë e rrëzuan Viktorin në tokë, e detyruan të kthente fytyrën drejt dyshemesë dhe e goditën me shkop, duke i thyer brinjën dhe gishtin.

Ata vazhduan ta pyesnin për vendndodhjen e forcave ukrainase.

Por, përsëritja e vazhdueshme e pyetjeve të tyre dhe indiferenca ndaj përgjigjeve të tij, e bënë të mendonte se thjesht e shijonin pafuqinë e tij.

“Le t’i vëmë zjarrin”

Më tej, Viktori ka zbuluar se “i bënë dush” me një lëng të ndezshëm. Ai e dalloi menjëherë erën – naftë nga një prej automjeteve të tyre të blinduara.

“Nuk ishte benzinë, ata kanë vetëm naftë. Ata thanë: ‘Ta vëmë zjarrin dhe ta kthejmë te populli i tij’”, rrëfen Viktor.

“Kur isha plotësisht i rraskapitur dhe i mbuluar me gjak, thjesht më hodhën në bodrum, me një shkelm”.

Ai zbriti nga shkallët në bodrumin e errët, të lagësht dhe të ftohtë të shtëpisë, ku ish-pronarët e shtëpisë mbanin dikur perime, mish të tymosur dhe kavanoza qelqi me turshi të bëra vetë.

Atje, Viktori u shtri vetëm për rreth 40 minuta, ende i lagur me gjak dhe naftë – dhe duke menduar për pashmangshmërinë e vdekjes.

Ai besonte se rifillimi i bombardimeve i trembi hetuesit dhe përfundimisht i shpëtoi jetën.

“Ata thjesht u fshehën dhe kjo më shpëtoi”, tha ai, duke përshkruar se si më vonë doli fshehurazi nga bodrumi, u ngjit në një gardh dhe vrapoi në shtëpi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore