Përballje

Vihet në dyshim përballja mes Fury dhe Wilder


Ndeshja mes Tyson Fury dhe Deontay Wilder e cila ishte planifikuar të mbahej më 24 korrik, pritet të shtyhet pas një rasti të koronavirusit në kampin e 32-vjeçarit britanez.

Kampioni botëror i peshave të rënda i një nga katër organizatave të mëdha të Boksit, “World Boxing Council” (WBC), Tyson Fury, ka qenë duke u stërvitur në Las Vegas për t’u përgatitur për ndeshjen e tij të radhës kundër Deontay Wilder.

Sipas gazetës BBC, dueli mes Fury dhe Wilder nuk do të mbahet siç ishte planifikuar.

Menaxheri i 35-vjeçarit, Shelly Finkel ishte i pakënaqur me këtë vendim, ai shprehi edhe zhgënjimin e Wilder lidhur me mos mbajtjen e ndeshjes.

“Deontay është i zhgënjyer. Lufta duhet të ri-planifikohet”, ka thënë Finkel.

Një njoftim zyrtar pritet të dal në ditët në vijim.

Organizatorët thanë të enjten, pasi u këshilluan nga ekspertët shëndetësorë, se ata po mendojnë të shtyjnë ndeshjen.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë statusin shëndetësor të Tyson dhe ekipit të tij, dhe statusi i ngjarjes nuk ka ndryshuar deri më sot”, thanë promovuesit Top Rank.

Rivaliteti mes Wilder dhe Fury filloi në vitin 2018, ku të dy boksierët u ndeshën për herë të parë, e cila përfundoi pa fitues.

Ndërsa në shkurt të vitit 2020, Fury mposhti Wilder për t’u bërë kampion i peshave të rënda të WBC.

Asnjëri nga boksierët nuk ka luftuar që nga fitorja e Fury në Las Vegas, por ata janë stërvitur fuqishëm, pasi Wilder kërkon të kthejë titullin e më të mirit në peshat e rënda.

Pasi një ndeshje e tretë u anulua disa herë për shkak të komplikimeve rreth pandemisë Covid-19, Fury kërkoi të përballej me britanikun tjetër, Anthony Joshua, i cili mban tre titujt e tjerë të rëndësishëm në pesha të rënda.

Por, një seancë arbitrazhi vendosi që Wilder kishte baza kontraktuale për një garë të tretë.

Fury është i pamposhtur në 31 përballjet e tij, ndërsa Wilder ka vetëm një humbje në 44 duele.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore