Lajme

“Vështirë se luftojnë ushtarët britanikë në Ukrainë”


Ka një kërcënim të vërtetë nga pala ruse për pushtimin e Ukrainës, por vështirë se ushtarëve britanikë do t’u duhet të angazhohen në konfliktim.

Të paktën, këtë mendim e ka kryediplomatja e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, e cila ka thënë në një intervistë për median shtetërore britanike, BBC, armatimet e mundësuara për Ukrainën duket të jenë të mjaftueshme për konfliktin në përmasat që janë deri tani.

Gjithsesi, ajo e ka pohuar se në rast të një mësymje të mundshme, pasojat për Evropën do të ishin “shkatërruese”.

Liz Truss, Sekretare e Jashtme e Britanisë së Madhe

Me mbi 100 mijë trupa në kufi, tanke dhe artileri të rëndë, fjala e rusëve thotë se nuk kanë ndërmend të pushtojnë ish-republikën sovjetike, por veprimet janë dyshuese.

Sipas Truss, në rrafshin diplomatik, po bëhet gjithçka e mundur për ta shuar konfliktimin mes dy vendeve. Një ndër rrafshet ku po punohet, është edhe ai i sanksioneve ekonomike.

Megjithatë, ato nuk kanë pasur ndonjë efekt konkret në uljen e tensionit dhe sprapsjen e Moskës.

Vetë Britania, ka ofruar ndihmë si ushtarake edhe ekonomike. Po ashtu, me anë të një legjislacioni të posaçëm, lejohen sanksionet ndaj kujtdo që mbështet të tilla politika nga Kremlini.

Shqetësime të mëdha ka edhe nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili i ka bërë thirrje Perëndimit të mos krijojë panik me paralajmërimet e një pushtimi të mundshëm, pasi kjo gjë po e rrezikonte së tepërmi ekonominë e Ukrainës.

Sakaq, anglezët kanë trajnuar mbi 20 mijë trupa ukrainase, duke i përgatitur ata në rast nevoje.

Por, ndërhyrja ushtarake nga ushtarët britanikë, duket se mund të mos vijë, përveç rasteve kur mësymja bëhet serioze.

Vetë forcat e NATO-s kanë gati rreth 5 mijë trupa, të cilët mund të dislokohen menjëherë në fushëbetejë. Nëse do të jetë e nevojshme, koha do ta tregojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore