Kosova

Kurti kërkoi vazhdimisht ekstradimin e Radojiçiç-it – por krimineli u lejua të largohej nga Banja “pas negociatave”


Foto-ilustrim: Milan Radojiçiç dhe Albin Kurti

Dhjetë ditë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i kërkoi presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Budva të Malit të Zi që ta ekstradojë kryekriminelin Milan Radojiçiç dhe paramilitarët e tjerë serbë që morën pjesë në sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit, në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, u bë e ditur se zyrtarë të KFOR-it kishin negociuar për tërheqjen e tyre nga Kosova, për çka kishte raportuar Albanian Post vitin e kaluar.

“Kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radojçiç-in në Kosovë dhe grupin e tij paramilitarë që kanë vrarë rreshterin Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar”, pati theksuar Kurti në fjalën e tij, teksa përballë kishte presidentin serb më 16 maj.

Pos Kurtit, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar vazhdimisht që terroristi Radojiçiç të gjykohet në Kosovë.

“Legjislacioni vendor dhe konventat ndërkombëtare parashohin që gjykimi ndaj terroristit Radojiçiç të bëhet në Republikën e Kosovës, sepse sulmi ka ndodhur në territorin e saj, thoshte Haxhiu në një konference për media sivjet.

Edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte theksuar se autoritetet përgjegjëse, përmes partnerëve ndërkombëtarë, do të kërkojnë ekstradimin nga Serbia në Kosovë “të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e aksioni terrorist” në Banjë.

“Po, patjetër dhe jo vetëm, të të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në planifikimin dhe realizimin e këtij aksioni terrorist”, kishte potencuar Sveçla në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, teksa në një raport të NATO-s thuhet se zyrtarë të KFOR-it negociuan për tërheqjen e sulmuesve nga Banja.

Raporti: KFOR-i e negocioi largimin e terroristëve nga Banja

Çfarë thuhet në draft-raportin e Asamblesë së NATO-s?

Mark Lancaster, raportues në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në draft-raportin që e prezantoi të shtunën në sesion pranveror të këtij mekanizmi në Sofje, ka përfshirë një raport në të cilin thuhet se zyrtarë të KFOR-it patën negociuar për tërheqjen e një pjese të grupit të sulmuesve të armatosur serbë në Banjskë.

“Pas një periudhe të shkurtër të de-përshkallëzimit gjatë verës, në shtator të 2023-s, rreth 30 burra të armatosur u përplasën me policinë në Banjë dhe u barrikaduan brenda manastirit ortodoks serb, në atë që rezultoi me një rrethim që la të vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Zyrtarë të KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës së mbetur të grupit në malet përreth, nëpërmjet të cilave ata u zhdukën”, thuhet në raport.

Sipas raportit, autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë po fshiheshin në malet mes Banjës dhe kufirit me Serbinë si dhe se kanë zbuluar arsenal të madh të armëve, me kapacitet për të shkaktuar dëm dhe viktima të konsiderueshme.

Draft-raporti i Asamblesë së NATO-s?

Ndryshe, kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Vuçiç – së bashku me një grup paramilitarësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, pasi që personat që morën përgjegjësinë kanë lidhje të ngushta me regjimin në Serbi.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i e ku theksohet se potencon se ky i fundit për këto vepra mund të dënohet deri në burgim të përjetshëm.

Raporti i detajuar i INTERPOL-it kundër Radojiçiç precizon me saktësi se “më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjë të komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake”.

Gjithashtu raporti nënvizon faktin se Radojiçiç dhe bashkëkryesit e tij bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën policëve të Kosovës dhe sulmuan ata me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit.

Sipas INTERPOL-it, ka dyshime të arsyeshme që Radojiçiç në cilësinë e kreut të një grupi kriminal nga vitit 2017 deri në vitin 2023 nëpërmjet kontrabandës ka krijuar të ardhura të majme të cilat më pastaj i ka investuar në patundshmëri.

Drama e Konfliktit në Veri të Kosovës – prapaskenat e një beteje që nuk përfundoi, por filloi me 24 shtator

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore