Lajme

Vdes ish- komandanti i KFOR-it në Kosovë, Klaus Reinhardt


Klaus Reinhardt - ish komandant i KFOR-it në Kosovë

Ish-komandanti i trupave të KFOR-it në Kosovë, Gjenerali Klaus Reinhardt, të enjten e dy dhjetorit ka ndërruar jetë.

Lajmin e ka bërë të ditur, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Reinhardt ka dhënë një kontribut vendimtar në kthimin gradual të Kosovës në jetë normale, civile dhe rindërtimin e vendit pas luftës.

“Me pikëllim të thellë kam pranuar lajmin që është ndarë nga jeta Gjenerali Klaus Reinhardt”.

“Krahas mbrojtjes së popullsisë, vendosjes dhe ruajtjes së paqes në Kosovë, roli i Gjeneralit Reinhardt ishte vendimtar edhe në dhënien e impulseve të shumta dhe të rëndësishme për rindërtimin e shtëpive private dhe institucioneve publike si dhe në ri-ngritjen e institucioneve civile”, ka shkruar Gërvalla.

Forcat e KFOR-it në Kosovë

Sipas saj, me shërbimin e tij, ai ka dhënë një kontribut të çmuar jo vetëm për Kosovën, por edhe vendin e tij, Gjermaninë.

“Me shërbimin dhe udhëheqjen e tij, ai ka dhënë një kontribut shumë të çmuar jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendin e tij, Gjermaninë dhe me të drejtë ka zënë një vend të pazëvendësueshëm në kujtesën kolektive të qytetarëve të Kosovës”.

“I jemi mirënjohës përjetë Gjeneralit Klaus Reinhardt, i cili Kosovën e pati gjithnjë në zemër dhe do të mbetet gjithnjë në zemrat tona”, shtoi ajo.

Reihardt nga muaji tetor i vitit 1999 deri në prill të vitit 2000 ka shërbyer si komandant i KFOR-it në Kosovë duke qenë në krye të 50 mijë ushtarëve nga 39 shtete të ndryshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore