Shqipëria

Vazhdon beteja me flakët në Malin e Tomorrit


Zjarrfikësit, profesionistët e Agjencisë Kombtëtare të Zonave të Mbrojtura, ata të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në bashkërendim me institucione tjera, po vazhdojnë të përballen me flakët akoma aktive në disa vatra, në Malin e Tomorrit.

Sipas AKMC-së, megjithëse zona shkëmbore e parkut ka qenë në monitorim të vazhdueshëm, ka qenë e pamundur të ndërhyhet menjëherë, për shkak të pjerrtësisë mbi 60 deri në 70 gradë dhe terrenit shkëmbor, që herë pas here “rrëzon shkëmbinj të rrezikshëm” për forcat e ndërhyrjes.

Mirëpo, lajm i mirë është se nga të gjitha burimet zyrtare konfirmohet që zjarret “nuk paraqesin rrezik për banesat”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e AKMC-së, për Albanian Post.

Pamundësia e ndërhyrjes tokësore, e ka drejtuar Prefektin e Qarkut Berat dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) për të kërkuar ndërhyrje nga ajri.

Kështu, është mundësuar në bashkërendim mes institucioneve përgjegjëse dërgimi i një helikopteri për të realizuar ndërhyrjen nga ajri. Dhe ky operacion vijon ende.

AKMC-ja ravijëzon se situata në terren monitorohet “çdo moment nga strukturat lokale dhe qendrore, si dhe koordinohet hap pas hapi nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë AKMC-së”.

Çka ndodhi?

Në mëngjesin e herët të së hënës së 28 qershorit, pjesa perëndimore e Parkut Kombëtar të Malit të Tomorrit u përflak nga zjarri.

Përpos ndodhisë, terreni tejet i vështirë e ngeci depërtimin në të përmes mjeteve tokësore. Në të tilla rrethana, zjarri përshkoi rrugën drejt majës së malit, me ndihmën e erës.

Ky është edhe përshkrimi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), që u përgjigj në interesimin e Albanian Post, për të mësuar më shumë rreth ngjarjes.

Forcat e zjarrfikëses të zonës e kanë pasur të vështirë të shkojnë për të shuar zjarrin. Kjo pasi terreni është i vështirë dhe është e pamundur hyrja e mjeteve.

Nga ana tjetër, është kërkuar ndihmë me helikopter, për të ndaluar përhapjen e zjarrit, pasi kjo zonë është shpallur Park Kombëtar.

Zjarri ka rënë në zonën e sipërme të fshatit Lybeshë. Nuk dihen ende rrethanat sesi pishat morën flakë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore