Lajme

Ukraina nuk do të përfshihet në “paketën e Shqipërisë” të zgjerimit të BE-së


Qeveria ukrainase nuk dëshiron që të bëhet pjesë e paketës “ballkanike” të zgjerimit të BE-së dhe të lëvizë në grup me shtetet e Ballkanit Perëndimor – përfshirë Shqipërinë.

Zëvendës kryeministrja për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik të Ukrainës, Olga Stefanishyna e tha këtë në një intervistë për “E vërteta evropiane”.

“Ne nuk duam të ndjekim gjurmët e vendeve të fundit të zgjerimit, nuk duam të jemi pjesë e formatit ballkanik të zgjerimit – sepse çdo valë e zgjerimit ka aspektet e saj historike… Ne nuk jemi në pozicionin që të presim dhe të festojmë në shkallë kombëtare hapjen e negociatave për çdo kapitull të veçantë të Marrëveshjes për anëtarësim drejt BE-së”, vuri në dukje zëvendës kryeministrja.

Sipas saj, Ukraina nuk është e kërcënuar nga fati i Maqedonisë së Veriut, e cila po kërkon prej 15 vitesh që t’i bashkohet Bashkimit Evropian.

Stefanishyna theksoi se Ukraina e ka marrë iniciativën në duart e veta dhe “nuk rri e pret” për udhëzime se si të lëvizë drejt BE-së, por zbaton në mënyrë proaktive ndryshimet e brendshme të nevojshme për këtë, veçanërisht falë Marrëveshjes së Asociimit.

“Pasi morëm kohët e fundit statusin e kandidatit, jemi ende shumë të avancuar në çështjet që lidhen me negociatat me BE-në, duke kuptuar se çfarë është e aftë dhe çfarë nuk është e aftë të bëjë BE-ja”, tha ajo.

Olha Stefanishyna e konsideron vitin 2023 si një horizont realist për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe parashikon se Ukraina do të jetë në gjendje të përmbushë kushtet e negociatave brenda tre viteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore