Lajme

Tregu i errët i armëve drejt Ukrainës kalon edhe nga Ballkani


Nga Siria në Ukrainë. Historia përsëritet sërish.

Në përpjekje për të furnizuar Ukrainën më shpejt me armë, aleatët po krijojnë një treg të zi për shitjet e tyre.

Ata duhet të furnizojnë rezistencën në Kiev, tërheqin nga depozitat e tyre, por stoqet nuk janë të mjaftueshme.

Tregu, është një mundësi për personazhe që nuk kanë përvojë.

Prestigjiozja “New York Times” raportoi disa ditë më parë për një çift që morën pjesë në “tortën e madhe” të furnizimeve.

Martin Zlatev, me origjinë bullgare, pronar i një kompanie limuzinash së bashku me partnerin e tij iu futën punës.

Gazetarët italianë të “Corriere Della Sera”, Guido Olimpio e Andrea Marinelli kanë analizuar çdo hap të errët të tyre në tregun e zi të armëve.

Ata shkruajnë se çifti përfitoi nga dy kritere.

E para, Departamenti Amerikan i Shtetit po mbështetej tek individët privatë për të shitur armatim ukrainasve, duke miratuar marrëveshje me vlerë 300 milionë dollarë vetëm në katër muajt e parë të vitit.

Kjo ishte një rrugë e shkurtër për të përshpejtuar procesin e miratimit.

E dyta, çifti i dërgoi një letër ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, ku i shkruante se “koha është thelbësore” dhe se ata mund ta shkurtonin procesin nga 60 ditë në shtatë.

Kështu të dy nisën punën për të kërkuar “mallrat” në Bullgari dhe Bosnjë, një operacion 30 milionë dollarë i kryer me ndihmën e një sërë ndërmjetësuesish në shtatë vende.

Shuma ishte e nevojshme për të paguar prodhuesit dhe kuotat e rezervuara prej rreth dy milionë për vetë ata.

Operacioni kishte dy nivele, një amerikan dhe një ballkanik.

E para ishte relativisht e thjeshtë: Qeveria amerikane pagoi 25 milionë dollarë në llogarinë e BMI-së, kompania e krijuar nga çifti, e cila më pas do të dërgonte 2.2 milionë municione amerikane në Poloni nëpërmjet një ndërmjetësi dhe prej andej me kamion drejt kufirit ukrainas.

E dyta ishte më komplekse: BMI duhej të blinte 540 granatahedhës antitank dhe 22 mortaja nga një prodhues boshnjak, i cili më pas duhej të udhëtonte nëpër Kroaci, Slloveni, Austri, Sllovaki, Poloni dhe në fund Ukrainë.

900 raketa të tjera ajër-tokë do të bliheshin përfundimisht në Bullgari.

Ata, për të shmangur kontrollet, deklaruan se materiali kishte si destinacion Poloninë, një truk klasik: destinacioni i vërtetë përfundimtar ishte padyshim Ukraina.

Prandaj, marrëveshja bazohej në dokumente të falsifikuara, të nevojshme për të anashkaluar ligjet e eksportit dhe do të ishte hedhur në erë kur “New York Times” t’u kërkonte protagonistëve dhe Qeverisë ukrainase shpjegime.

Marrëveshja e partnerëve Zlatev dhe Gjorgjievski ishte një marrëveshje e vogël, kur krahasohet me më shumë se 17 miliardë dollarë të dërguar nga Shtëpia e Bardhë në Kiev, por këto shitje private i nënshtrohen shumë pak shqyrtimit, nuk gjurmohen dhe mbeten jashtë vëmendjes.

Megjithatë, në të njëjtën kohë, armët mund të përfundojnë më lehtë në duar të gabuara: çdo ndërmjetës mund të përfaqësojë një pengesë për furnizimet.

Pavarësisht nëse marrëveshja shkon përpara apo jo, dokumentet e BMI-së tregojnë se lufta në Ukrainë paraqet një mundësi për të ngarkuar çmime të mëdha.

Plumbat që Zlatev planifikoi të shiste ishin 50 për qind më të shtrenjtë se ato të listuara publikisht nga shitësit e tjerë.

Granatahedhësit e tij shiteshin për më shumë se dyfishin e çmimeve të listuara në listën e çmimeve për forcat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.

Ekspertët thonë se këto rritje zakonisht ndihmojnë në pagesën e ndërmjetësve – në kurriz të një kombi në mes të një lufte.

Plumbat, raketat, mortajat dhe granatahedhësit që Zlatev planifikoi të dërgonte nuk kishin gjasa të anonin kuptimisht luftën në favor të Ukrainës.

Por procesi i krijimit të ndërmjetësve, rrugëve tregtare dhe agjentëve me dokumente të falsifikuara mund të ketë një ndikim të qëndrueshëm.

Sapo të përfundojë lufta Ukraina mund të kthehet në një qendër për tregtimin e armëve në tregun e zi.

Tregu i paligjshëm do të burojë nga ky vend për 30 vitet e ardhshme, siç ndodhi menjëherë pas Luftës së Ftohtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore