Përballje

Tjetër humbje për Clippers, triumfojnë Jazz e Bulls


Orët e hershme të mëngjesit të së martës (me kohën tonë lokale), janë zhvilluar edhe nëntë ndeshje në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Ndeshja më befasuese prej tyre, ishte humbja e Los Angeles Clippers, të cilët u mposhtën në shtëpi me rezultat 104:123 nga New Orleans Pelicans.

Një takim ky që Clippers nuk e filluan aspak mirë, duke humbur çerekun e parë me shifrat 22:37, ku më pas mysafirët arritën të menaxhonin rezultatin, për të marrë një fitore të madhe në udhëtim.

Më i dalluari në këtë ndeshje ishte basketbollisti i New Orleans, Jonas Valanciunas, i cili arriti të shënojë 39 pikë, 15 kërcime e tre asistime.

Ndërsa te Clippers u dallua Paul George me 27 pikë, tre kërcime e po aq asistime.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Clippers, të cilët në pesë ndeshjet e fundit kanë pësuar tri humbje, ndërsa për New Orleans kjo ishte fitorja e tretë në pesë takime.

Ndërkohë, arritën fitoren e radhës Utah Jazz, të cilët mposhtën në shtëpi Portland Blazers me rezultat 129:107.

Një takim ky që ishte i baraspeshuar në dy periodat e para, por diferenca u bë në pjesën e dytë, me Jazz që arritën të shkëputen në rezultat, për të arritur fitoren e dytë radhazi.

Më i dalluari te Jazz në këtë ndeshje ishte Donovan Mitchell, i cili shënoi 30 pikë, dy kërcime e pesë asistime, ndërsa te Blazers lojë të mirë shfaqi Jusuf Nurkic me 24 pikë e 10 kërcime.

Fitore dramatike në këtë rreth morën Chicago Bulls që ia dolën të mposhtin Charlotte Hornets me shifrat 133-119.

Një ndeshje e cila vendosi në periodën e dytë dhe të tretë, ku më të mirë ishin vendasit, të cilët më pas e ruajtën epërsinë, për të marrë fitoren e dytë radhazi.

Më i dalluari për Bulls në këtë ndeshje, ishte malazezi Nikola Vucevic, i cili arriti të shënojë 30 pikë, 14 kërcime e pesë asistime, ndërsa te Hornets u dallua Terry Rozier me 31 pikë, dy kërcime e katër asistime.

Rezultatet e takimeve tjera të ndeshjeve të fundit në NBA:

Philadelphia 76ers 101 – 96 Orlando Magic

Miami Heat 111 – 120 Denver Nuggets

Houston Rockets 102 – 89 Oklahoma City Thunder

Minnesota Timberwolves 100 – 98 Indiana Pacers

Dallas Mavericks 96 – 114 Cleveland Cavaliers

San Antonio Spurs 116 – 99 Washington Wizards

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore