Gjykata Speciale

Thaçi: Gjithçka ia vlejti – bota e kuptoi se s’pati trafikim organesh, s’pati Shtëpi të Verdhë – hoqëm renë e zezë


Ish presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

“Bota e kuptoi se s’kishte trafikim organesh dhe shtëpia e verdhë s’ka ekzistuar kurrë”, tha Hashim Thaçi në fjalën e tij 10 minutëshe para trupit gjykues në Gjykatën Speciale.

“Ne sot jemi shfajësuar nga këto akuza”, deklaroi Thaçi dhe kjo nënkupton se “hoqëm renë e zezë”.

Prandaj, dëshmoi ish-udhëheqësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kjo sakrificë ia ka vlejtur”.

E gjithë ideja e Speciales ishte dëshmia se s’ka pasur trafikim organesh dhe kjo u kuptua ende pa u dhënë verdikti i gjykatës, sepse prokuroria nuk ka gjetur prova të mjaftueshme as për të ndërtuar rast mbi këto akuza.

Prandaj, ish-presidenti i Kosovës, beson se edhe me vetëm kaq ia ka vlejtur, por ai shtoi që edhe ne atë që ka ngritur Specialja do të dalë i pafajshëm.

Për ta dëshmuar këtë pafajësi Thaçi tha se do të donte të ishin gjalla edhe Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e Fehmi Agani.

Ata, deklaroi Thaçi, do dëshmonin në emrin tim.

“Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë se është e vërtetë, por ne kemi një deshi historike dhe faktike të regjistruar në atë kohë. Të kthemi në atë kohë sepse aty zbulohet e vërteta, më vjen që nuk do të mund t’i dëgjojmë dëshmitë e sekretares së shtet amerikan, Madeleine Albright, senatorëve, ambasadorëve, shefit të parë të UNMIK-ut, të presidentit Ibrahim Rugova, Femi Aganit, Adem Demaçit dhe liderëve të tjerë. Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam thënë dhe bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme për historinë e Kosovës”.

Thaçi, në ditën e dytë të gjykimit të tij, pohoi se dëshiron që ky rrugëtim të jetë “një rrugëtim drejt së vërtetës dhe drejtësisë”.

“Janë dy parime të çmuara për mua dhe gurthemeli i demokracisë dhe paqes”.

Por, tërhoqi vërejtjen, se “viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen”.

“Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”.

Thaçi deklaroi se “ndjej keqardhje dhe dhimbje për viktimat, pavarësisht përkatësisë”, por “jam i pafajshëm për të gjitha akuzat”.

Përkundër pafajësisë që ndjenë, ai shprehu gatishmëri për t’u ballafaquar me çfarë ka për të thënë prokuroria dhe “do të kem sukses për familjen, popullin tim dhe vendin tim”.

Ish-presidenti ka pasur edhe një koment për rrëfimet hiperbolizuese të shumëkujt që sot përdoren si dëshmi në gjykatë.

“Si në çdo shoqëri edhe tek ne jo çdo bashkëluftëtar i luftës ka qenë edhe bashkëmendimtarë në proceset politike të pasluftës. Në raste jo të pakta, ambicia, interesat, egoja tejkaloi të vërtetën dhe realitetin për rrëfimin e UÇK-së”.

Thaçi ka folur edhe për rrugëtimin e UÇK-së, përtej atij personal.

Tha se “rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë”.

“Isha student dhe i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari. Si shumë shqiptarë nga diaspora u ktheva edhe unë dhe iu bashkova rezistencës për liri. Kushdo që do të ishte në vendin tonë do të kishte bërë të njëjtën po tu hiqej liria”, deklaroi Thaçi.

“UÇK përbëhej nga njerëz të thjesht vullnetarë. Ata luftuan dhe vdiqën trima hero. Ky ishte çmimi i lirisë, mijëra familje humbën të dashurit në masakra serbe, kundërshtarët tanë ishin ushtria dhe policia serbe të kalitur në fushata të vrasjeve në Bosnjë”.

Thaçi siguroi trupin gjykues se pavarësisht rrugëve që kanë ndjekur në Kosovë, qëllimi ishte i njëjtë.

“Të nderuar, trup gjykues, si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim: lirinë dhe shtetësinë e Kosovës, pa atë rezistencë Kosova nuk do të ekzistonte fare”.

“Qytetarët e Kosovë nuk donin luftë, lufta u imponua”, pohoi.

“Ata bën atë që do të bënte çdo popull për të mbrojtur familjet e tyre. Ne ishim në anën e drejt të historisë. Sot unë jam i lumtur që populli jeton në Kosovë të lirë dhe të pavarur me të drejta të barabarta”.

Fjalimi i plotë i Hashim Thaçit para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Hagës

Faleminderit shumë Kryetar i trupit gjykues, zotëri Smith, të nderuar gjykatës Metro, Bart, Gaynor,

Faleminderit shumë për pundësinë që t’iu drejtohem shkurt.

Sot ne jemi duke nisur një rrugëtim së bashku, një rrugëtim drejt së vërtetës dhe drejtësisë. E vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua. Ato Janë gur themeli i të gjitha demokracive dhe themeli i paqes.

Më lejoni të shfrytëzoj këtë moment dhe të them se ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike.

Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen.

Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjerët.

Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza.

Por, unë jam gati të përballem me këtë sfidë të re. Do të kem sukses për familjen time, për popullin tim dhe vendin tim.

Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe shumë e vështirë.

Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik, kur u masakrua familja Jashari në mars të vitit 1998.

Si shumë shqiptarë nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe ju bashkova rezistencës për liri bë Kosovë. Kushdo që to të ishte në vendim tonë, do të kishte bërë të njëjtën gjë kur tu hiqej liria.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbëhej nga njerëz të thjeshtë, vullnetarë që përpiqeshin të mbronin shtëpitë, familjet dhe vendbanimet e tyre. Ata luftuan dhe shumë sish vdiqën trima heronj.

Ky ishte çmimi i lirisë.

Mijëra familje humbën të dashurit e tyre në qindra masakra të kryera nga forcat serbe. Kundërshtarët tanë ishin ushtria, policia dhe paramilitarët serb, të kalitur në fushatat e tyre të vrasjeve në Bosnjë.

Të nderuar të pranishëm, trup gjykues. Si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të  njëjtin synim, lirinë, shtetësinë dhe rendin demokratik të Kosovës. Pa atë rezistencë gjithë popullore sot Kosova nuk do të ekzistonte fare.

Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, ata ishin të përcaktuar dhe kishin vullnetin për paqë. Lufta iu imponua.

Ata bënë atë që do të bënte çdo popull liridashës për të mbrojtur familjet e tyre, fëmijët e tyre, vendin e tyre. Pra, ne Kosova, ishim në anën e drejtë të historisë.

Sot, unë jam i lumtur që populli i Kosovës jeton në një Kosovë të lirë, të pavarur, të bazuar në të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e sajë ku sundon ligji.  

Kosova pra është rrëfim suksesi.

I nderuar trup gjykues, gjatë këtij procesi gjyqësorë, ne do të udhëtojmë prapa në kohët e ngjarjet që kanë ndodhur 25 vite më parë.

U kërkoj të gjithëve që të keni parasysh se mbamendja 25 vite më parë është e mjegulluar. Realiteti po ngatërrohet me opinione dhe agjenda të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte. Emocionet, Gjithashtu emocionet, motivet apo mllefet politike të secilit do akter politik nuk duhet të kuptohen si fakte në kësaj sallë.

Kjo vlenë edhe për disa botime apo opinione të pasluftës, të ekzagjeruara apo të përshtatura të akterëve të ndryshëm të luftës.

Si në çdo shoqëri demokratike edhe tek ne, jo çdo bashkëluftëtar i luftës ka qenë  edhe bashkudhëtar apo bashkëmendimtarë në proceset politike të pas luftës.

Në raste jo të pakta, ambicia, interesa politike e egoja personale, tejkaloi të vërtetën dhe realitetin për rrëfimin e UÇK-së dhe vet historisë së Kosovës. Njerëzit mbajnë mend atë që duan të besojnë se është e vërtetë.

Por, ne kemi një dëshmi histori dhe faktike të regjistruar në atë kohë.

Ne duhet të kthehemi te ato dëshmi sepse aty do të zbulohet e vërteta. Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi t’i dëgjojmë në këtë gjykatë dëshmitë e Sekretares së Shtetit Madeleine Albright, Sekretarit të Jashtëm Robin Cook, Senatorit Robert Doll, ambasadorit Richard Holbrooke, zotëri Demelio, si shef i parë i UNMIK-ut në Kosovë menjëherë pas luftës, të presidentit Ibrahim Rugova, të profesor Fehmi Aganit, të Adem Demaçit e liderëve të tjerë.

Ata do të kishin dëshmuar në emrin tim për atë që kam thënë dhe bërë gjatë asaj kohe shumë të rëndësishme në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Jam i lumtur që shumë të tjerë si ata, vendorë dhe ndërkombëtarë janë të gatshëm të dëshmojnë për pafajësinë time.

Ne besuam në veten tonë dhe vendosmërinë tonë për të qenë të lirë. Por të gjithë në Kosovë e dinim gjatë të gjithë kohës se, pa ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare dhe në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të mund të ishim kurrë të lirë e të pavarur. Ne në Kosovë gjithmonë kemi mbështetur drejtësinë, e drejtësinë ndërkombëtare në veçanti.

E nderuara trupë gjykuese, kur raporti i Dick Martit para 13 vitesh, mbushi titujt e medieve ndërkombëtare me akuza të sajuara për trafik organesh nga UÇK dhe nga unë, unë menjëherë i kërkova Bashkësisë Ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur.

Bashkësia Ndërkombëtare me tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve  në Kosovë. Bota tani e di sot, si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë.

Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK edhe populli i Kosovës dhe të gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza.

E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr.

Pra, kjo sakrifice ja ka vlejtur.

Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në fund të këtij procesi.

Kjo është gjykata e katërt, pas asaj të Tribunalit të Hagës, UNMIK-ut, EULEX-it dhe Dhomat e Specializuara.

Unë jam intervistuar nga të gjitha këta mekanizma të drejtësisë ndërkombëtare, coftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. Çdo bashkëpunim i imi me të gjithë këta akter ndërkombëtarë, ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent coftë në Prishtinë coftë në Hagë. Gjithçka çka thuhet tjetër, është e pa qëndrueshme.

Prandaj askush nuk mund dhe nuk duhet ta shkruaj historinë, ky është çmimi i lirisë.

Unë besoj në paqe, të vërtetë, pajtim dhe drejtësi.

Dhe kam besim se ky proces do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejtë.

Ju faleminderit shumë për vëmendjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore