Përballje

Tensione në “Minatori”, Peja mposht Trepçën në ndeshjen dramatike


Peja ka fituar derbin e javës së 12-të në basketbollin kosovar, duke e mposhtur Trepçën në udhëtim me shifrat 68:71.

Kjo ndeshje solli edhe momente tensioni te tifozët, ku ata të Trepçës sulmuan basketbollistët e Pejës, kur rezultati ishte 38:52 në disfavor të tyre.

Ndeshja u ndërpre për disa momente, derisa disa tifozë të tifo grupit mitrovicas, Torcida, u larguan nga salla.

Ndeshja në Mitrovicë ishte interesante, ku pejanët kishin epërsi deri në 15 pikë, por më pas u rikthyen mitrovicasit, megjithatë hero ishte Rodney Purvis me tre pikësh në sekondat e fundit.

Mysafirët e nisën ndeshjen më mirë me një seri prej 0:9 dhe gjatë gjithë çerekut të parë ishin në epërsi, duke e fituar këtë pjesë 18:22.

Në periudhën e dytë rikthehen vendasit, që ngushtuan shifrat dhe kaluan në epërsi 26:25, por më pas verdhezinjtë sërish u shkëputën për të shkuar në pushim me dhjetë pikë epërsi 29:39.

Në periodën e tretë në periodën e tretë, epërsia e mysafirëve shkoi deri në 15 pikë, 34:49, por mitrovicasit ngushtuan paksa epërsinë, ku shifrat në semafor pas 30 minutash ishin 43:54.

Në dhjetë minutat e fundit ndodhi drama, ku ‘Xehetarët’ u rikthyen dhe kaluan në epërsi 64:62, afër katër minuta nga fundi dhe ndeshja deri në fund ishte e baraspeshuar, ndërsa hero u bë ish-basketbollisti i Trepçës, tani i Pejës, Rodney Purvis, i cili në sekondat e fundit shënoi për 68:71.

Te Trepça u dalluan Ken Brown me 21 pikë dhe Drilon Hajrizi me 16, ndërsa te Peja më i miri ishte Brad Waldow me 22 pikë e 16 kërcime, kurse Purvis e ndihmoi me 14 pikë.

Mitrovicasit kanë gjashtë fitore e gjashtë humbje, kurse pejanët nëntë fitore e dy humbje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore