Lajme

Tahiri: Kosova nën qeverisjen e LVV-së – parajsë për matrapazët, ferr për punëtorët


Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kritikuar ashpër partinë në pushtet, posaçërisht pas protestës së zjarrfikësve të Kosovës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga ekzekutivi kosovar përmirësimin e kushteve të tyre të punës.

“Kosova nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – parajsë për matrapazët, ferr për punëtorët”, ka shkruar kryedeputeti i PDK-së në “Facebook” të enjten, ndërsa ka shpërndarë edhe një fotografi në llogarinë e tij, ku shihet një zjarrfikës duke mbajtur një parullë në duar gjatë protestës.

Gjatë mandatit të LVV-së, shumë kategori shoqërore kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj trajtimit nga autoritetet qëndrore. Në rrugë për t’i shprehur pakënaqësitë janë detyruar të dalin edhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI) në kuadër të Policisë së Kosovës.

E Kosova ka probleme të mëdha ekonomike. Në ndërkohë është duke vazhduar edhe “ping-pongu” se kush ka më shumë faj. Opozita akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore