Sport

Superiore/ Tirana tenton shkëputjen në Laç


Në Abissnet Superiore këtë të martë do të luhet ndeshja e fundit për javën e 13. Laçi vendas do të presë Tiranën në stadiumin “Laçi”, duke filluar nga ora 13:45.

Bardheblutë aktualisht udhëheqin Superioren me 27 pikë. Kurbinasit renditen në vendin e katërt me 18 pikë.

Në gjashtë ndeshjet e luajtura në shtëpi bardhezinjtë kanë arritur tre fitore, një barazim dhe dy humbje. Bardheblutë në transfertë kanë arritur tre fitore, dy barazime dhe një humbje.

Laçi i ka fituar dy ndeshjet e fundit në shtëpi. Edhe Tirana i ka fituar dy ndeshjet e fundit në transfertë.

Në ndeshjen e fazës së parë mes dy skuadrave ishin bardheblutë që dolën me tri pikët. Në sfidën e luajtur në kryeqytet, Tirana fitoi me rezultatin 2-0.

Në rast të një tjetër fitore në takimin e kësaj të marte, Tirana do të vendoste një hendek prej gjashtë pikësh nga Kukësi i vendit te dytë. Nëse fiton Laçi, do të ketë mundësinë t’i afrohet Vllaznisë së vendit të tretë, me një pikë diferencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore