Sport

Super League – UEFA… dhe tani çfarë?


Vendimi historik i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) që i quan FIFA-n dhe UEFA-n “shpërdoruese të pozitës dominuese”, për momentin, se janë të vetmet që mund të krijojnë gara, edhe me mundësinë e ndalimit të të tjerave, gjeneron një panoramë komplekse ligjore që tani e tutje.

Sipas vendimit, çdo shoqëri do të jetë në gjendje të krijojë turne lirisht dhe të mbështet Super League evropiane, e cila shpejt njoftoi se si do të kishte në përberje 64 klube të ndara në tre divizione.

“Ne do ta nisim turneun sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Bernd Reichart, CEO i “A22”, promotori i Super League, në një deklaratë disa orë pas ngjarjeve.

Në çdo rast, të mendosh për ngritjen e menjëhershme të Super League duket e ndërlikuar.

Si fillim, klubet duhet të binden që t’i bashkohen projektit dhe jo të gjithë thonë se janë pro. Manchester United ishte i pari nga anglezët që mori një pozicion kundër tij. Më pas pasoi pjesa tjetër e Premier League dhe gjithashtu Bayern dhe PSG, dy klubet e mëdha në Gjermani dhe Francë. Ata nga La Liga spanjolle, të udhëhequr nga Atletico, iu bashkuan motos së përbashkët të atyre që kundërshtojnë Super League-n:”Fitojeni në fushë”.

Për më tepër, rregulloret aktuale, pavarësisht vendimit kundër tyre, mbeten në fuqi dhe parandalojnë që të ketë një konkurrencë tjetër paralele deri në ndryshimin e tyre.

Çështja e Super League mbetet në gjykatë dhe është në proces të plotë. Në fakt, GJED e transferoi çështjen përsëri në gjykatën tregtare numër 17 të Madridit për të nxjerrë një vendim. Nuk dihet se sa mund të zgjasë kjo dhe sa do të zgjasë procesi gjyqësor.

Për të hapur një rrugë të re, së pari duhet të ndryshohet rregullorja aktuale.

“Pas vendimit, GJED njeh UEFA-n si organizatore të piramidës që duhet të ketë futbolli. Realiteti është se asnjë projekt tani nuk ka autorizim për të ecur përpara, pjesa tjetër është e rreme”, shpjegoi Ceferin në lidhje me këtë çështje.

UEFA dhe FIFA respektuan vendimin dhe, në rastin e konfederatës evropiane, specifikuan se ka një “deficit historik” për sa i përket ndalimit të garave të tjera. Në një nivel ligjor, vendimi e detyron atë të ndryshojë statutet e saj dhe të pranojë se edhe të tjerët mund të propozojnë dhe krijojnë turne. Kjo është diçka për të cilën UEFA kishte filluar tashmë të punonte.

Nëse modifikon bazat e saj, siç kërkohet nga vendimi, është e mundur që më pas të jetë në gjendje të konsiderohet garantuesi i futbollit evropian.

Avokati dhe specialisti i së drejtës sportive, Toni Roca, ka shpjeguar për gazetën spanjolle “AS”: “Me rregullat aktuale është e qartë se ka abuzim me pushtetin, sepse kjo që po ndodh është në kundërshtim me atë rregull. Por, nëse do të kishte rregulla të tjera më transparente, ndoshta do të kishin të drejtën e ndalimit”, shpjegoi ai.

Një problem i shtuar që panorama aktuale të ndryshojë tërësisht është ajo e të drejtave televizive. UEFA ka shitur tashmë ato për Champions League-n e re duke filluar nga viti 2024 në disa vende, gjë që prek klubet dhe heqja dorë nga kontratat e nënshkruara tashmë është zakonisht e vështirë dhe gjithashtu sjell kosto të mëdha.

Ndërkohë, boshti qendror i mbrojtjes së UEFA-s dhe FIFA-s është në një fjali të vendimit të cilit i kapen fort.

“Megjithatë, një kompeticion si ai i projektit të Super League nuk duhet domosdoshmërisht të autorizohet. Pasi janë bërë pyetje të përgjithshme për rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s, Gjykata e Drejtësisë nuk vendos, në vendimin e saj, për këtë projekt specifik”, thuhet në vendimin e GJED-it.

Super League është më e fortë dhe UEFA më e dobët se dje, por beteja nuk ka përfunduar.

Procesi gjyqësor pritet të jetë i gjatë, me nuanca në të dyja drejtimet, deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Futbolli evropian hyn në një skenar të ri. Kontinenti i Vjetër po hapet ndaj modifikimeve rregullatore që deri më tani dukeshin të pamundura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore