Përballje

Suns dominojnë dhe Grizzlies befasojnë


Devin Booker, LeBron James, Mike Conley dhe Ja Morant

Ndeshjet e së dielës në playoff në NBA ishin dramatike dhe me fitore befasuese.

Derbi mes Los Angeles Lakers dhe Phoenix Suns përfundoi me dramë mes lojtarëve dhe me fitore të Suns, me rezultat 90:99.

Devin Booker dhe Deandre Ayton ishin më meritorët për fitoren, pasi dominuan në sulm dhe mbrojtje.

Chris Paul, i cili pati një sezon fantastik, u lëndua në pjesën e parë nga LeBron James, por u kthye shumë shpejt për të stabilizuar ekipin e Suns.

Lakers luajtën një nga ndeshjet më të dobëta të këtij sezoni, dhe për këtë arsye dominimi i Suns ishte i qartë.

Te Lakers, LeBron James kishte një lëndim të vogël, të cilin e shkaktoi Chris Paul duke i kapur dorën.

Ndeshja përballë Lakers, ishte po ashtu debutimi i Booker në playoff, ku ai bëri histori duke u bërë lojtari që ka shënuar më së shumti pikë në debutimin e tij në histori të klubit.

Më të dalluarit te Suns ishin Devin Booker me 34 pikë, 7 kërcime e 8 asistime dhe Deandre Ayton me 21 pikë e 16 kërcime.

Te Lakers më të mirët ishin LeBron James me 18 pikë, 7 kërcime e 10 asistime dhe Anthony Davis me 13 pikë e 7 kërcime.

Ndeshje tjetër interesante ishte ajo mes Utah Jazz dhe Memphis Grizzlies, e cila përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 109:112.

Mungesa e Donovan Mitchell te Utah Jazz u vërejt shumë pasi ata nuk kishin një lider që i udhëheq drejt fitores.

Jazz e filluan mirë ndeshjen, por ata nuk arritën të mbajnë rezultatin në pjesën e parë.

Dillon Brooks ishte fantastik, i cili i motivoi lojtarët duke përmbysur rezultatin, pothuajse vetëm në pjesën e parë.

Më të mirët te Grizzlies ishin Dillon Brooks me 31 pikë, Ja Morant me 26 pikë dhe Jonas Valanciunas me 15 pikë e 12 kërcime.

Më të dalluarit te Jazz ishin Mike Conley me 22 pikë e 11 asistime dhe Bojan Bogdanovic me 29 pikë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore