Lajme

Sulmohet një polic – Sveçla: I kërkojmë Vuçiç-it të ndalojë së përkrahuri veprimet e dhunshme dhe terroriste


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se këtë të marte është sulmuar një pjesëtar i Policisë së Kosovës nga strukturat ilegale.

“Sot një tjetër oficer serb i Policisë së Kosovës është sulmuar nga strukturat ilegale, të cilat dogjën veturën e tij me targa legale RKS, ka shkruar në Twitter Sveçla.

Sipas tij, kjo është një thirrje e hapur për t’u luftuar institucionet e Republikës së Kosovës.

“I kërkojmë Vuçiç-it të ndalojë së përkrahuri veprimet e dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës”.

Të premten e 15 prillit,  Sveçla në konferencë të jashtëzakonshme për media kishte bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar për tri herë radhazi në Veri të Kosovës.

“Rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për ta bërë ndërrimin në pikat kufitare”.

“Ky sulm tashmë me granate dore dhe A47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Sveçla.

Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Ndryshe, katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore