Lajme

Sudani një hap pranë ICC-së, al-Bashir në Hagë


Kabineti sudanez ka votuar për të ratifikuar traktatin themelues të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC).

Ky veprim rrit mundësinë që ish-presidenti Omar al-Bashir të përballet me gjyqin për gjenocid.

Kryeministri Abdalla Hamdok, me anë të një deklaratë në median sociale Twitter, shkroi se projektligji për t’u bashkuar me Statutin e Romës të gjykatës me bazë në Hagë u miratua “njëzëri”.

Pas përmbysjes së ushtrisë së al-Bashir në vitin 2019-ën, Sudani është udhëhequr nga një administratë kalimtare civil-ushtarake, e cila është zotuar që të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të kryera nën sundimin e tij.

Sudani ende nuk ka caktuar një organ legjislativ, si dhe vendimi ka nevojë për miratimin e Këshillit Sovran.

Ky këshill është një organ i përbashkët, i cili është autoriteti më i lartë i vendit dhe ka për detyrë ta udhëheqë atë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Hamdok, në postimin e tij, bëri me dije se do të kishte një takim të përbashkët mes Këshillit qeverisës dhe kabinetit për “miratimin e ligjit”.

Kabineti nuk ofroi një afat kohor për ratifikimin.

Akuzat ndaj ish-presidentit

Al-Bashir kërkohet nga ICC-ja nën akuzat për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në raportet e saj, ka shkruar se 300 mijë njerëz janë vrarë dhe 2.5 milionë të tjerë janë shpërngulur në luftën që shpërtheu gjatë vitit 2003.

Kohë kjo, kur rebelët kryesisht jo-arabë morën armët kundër qeverisë qendrore të mbizotëruar nga arabët në kryeqytetin, Khartoum, duke e akuzuar atë për margjinalizim politik dhe ekonomik.

Qeveria e Al-Bashir-it u përgjigj, duke nxjerrë në rrugë milicinë famëkeqe, të lidhur me qeverinë e njohur si Janjaweed.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar prej kohësh al-Bashir dhe ish-ndihmësit e tij për përdorimin e një politike të ashpër, duke urdhëruar përdhunime, vrasje, plaçkitje dhe djegie të fshatrave.

Mohimi i akuzave

Al-Bashir i ka mohuar akuzat kundër tij dhe u kishte shpëtuar përpjekjeve të mëparshme për ta dërguar atë në Gjykatën e Hagës.

Aktualisht ai po mbahet në burgun e sigurisë së lartë Kober në Khartoum, së bashku me ish-ndihmësit gjithashtu të kërkuar nga ICC-ja.

Ish-presidenti u dënua në dhjetor të 2019-ës për korrupsion dhe ishte në gjyq në Khartoum që nga korriku i 2020-ës, për grushtin e shtetit të vitit 1989 që e solli atë në pushtet.

Administrata kalimtare e Sudanit është në bisedime me ICC-në rreth mundësive për të sjellë para gjyqit al-Bashir dhe ish-ndihmësit e tij.

Një pengesë ishte mosqenia palë e Sudanit në Statutin e Romës.

Në fund të majit, ish-kryeprokurorja e ICC-së, Fatou Bensouda, vizitoi Darfur-in dhe u bëri presion zyrtarëve sudanezë që të dorëzonin al-Bashir dhe udhëheqës të tjerë të kërkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore