Lajme

Sri Lanka shpall gjendjen e jashtëzakonshme


Sri Lanka e goditur nga kriza shpalli një gjendje të pacaktuar të jashtëzakonshme mbarëkombëtare të mërkurën e 13 korrikut.

Ky vendim erdhi disa orë pas largimit nga vendi të presidentit Gotabaya Rajapaksa.

Lajmi u bë i ditur nga Agjencia Franceze “AFP”, duke cituar zëdhënësin e kryeministrit Ranil Wickremesinghe.

“Meqenëse presidenti është jashtë vendit, është shpallur një emergjencë për t’u marrë me situatën në vend”, tha për AFP-në Dinouk Colombage.

Policia theksoi se ata po vendosin gjithashtu një shtetrrethim të pacaktuar në të gjithë Provincën Perëndimore, e cila përfshin kryeqytetin Colombo.

Kjo, për të përmbajtur protestat në rritje pasi Rajapaksa fluturoi në Maldive me një avion ushtarak.

Mijëra demonstrues sulmuan zyrën e kryeministrit, duke bërë që policia të përdorte gaz lotsjellës për t’i penguar ata që të pushtonin kompleksin.

“Ka protesta të vazhdueshme jashtë zyrës së kryeministrit në Colombo dhe ne kemi nevojë për shtetrrethimin për të kontrolluar situatën”, nënvizoi një oficer i lartë i policisë për AFP-në.

Ai shtoi se autoritetet kishin urdhër për të goditur demonstruesit që prishnin funksionimin e shtetit.

Dhjetëra mijëra burra dhe gra pushtuan rezidencën zyrtare të Rajapaksa-s të shtunën, duke e detyruar atë të arratisej.

Zyrtarët thanë se ai kishte premtuar të jepte dorëheqjen të mërkurën.

Protestuesit antiqeveritar i thanë NDTV-së se do të marshojnë drejt parlamentit dhe do të vazhdojnë agjitacionin e tyre deri në dorëheqjen e presidentit.

Ata kanë kërkuar gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Ranil Wickremesinghe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore