Lajme

“Sinwar është i pamëshirshëm, lirimi i tij ishte një gabim i rëndë”


“Yahya Sinwar nuk do të dorëzohet kurrë. Kurrë nuk do të pranojë të largohet nga Gaza dhe të shkojë diku tjetër. Ai preferon të vdesë si martir: ai mendon se ka fituar, se është bërë hero për botën arabe për shkak të fillimit të një lufte të madhe në emër të Islamit. Dhe jam i sigurt se ai do të krijojë probleme për Izraelin deri në momentin e fundit të jetës së tij”.

Nëse është dikush që e njeh mendjen e Yahya Sinwar, liderit politik të Hamasit dhe ‘drejtorit’ të sulmit të 7 tetorit, është Michael Koubi.

Që nga viti 1989, ish-kreu i departamentit të marrjes në pyetje të shërbimit sekret të brendshëm izraelit Shin Bet, ka marrë në pyetje të gjithë liderët e Hamasit, duke përfshirë themeluesin, Sheikh Yassin.

Ai kaloi “150 deri në 180 orë” me Sinwar.

“Kjo është arsyeja pse më 7 tetor e kuptova menjëherë: ishte çka kishte premtuar, çka kishte ëndërruar për 20 vjet. u tërbova. U bë menjëherë e qartë për mua se ai qëndronte pas sulmit”.

“Të gjitha. Si lëvizte, si fliste, sytë e tij: ata të një vrasësi të pamëshirshëm. Gjatë gjithë kohës që kaluam së bashku, ai kurrë nuk qeshi, nuk buzëqeshi kurrë. Të tjerët nga Hamasi e bënë këtë: ai jo. Më kujtohen saktësisht fjalët e tij: Një ditë, do ta shihni, do t’ju vrasim të gjithëve. Më tha me detaje se çfarë do të kishin bërë: çfarë bënë më 7 tetor”.

Por kur ka ndodhur kjo?

“Që herën e parë që e mora në pyetje, në vitin 1989. Ai e përsëriti disa herë. Biseduam gjatë, e dija se kishte vrarë 12 veta: më tregoi se si. Vrau shumë me hanxhar, sepse sipas tij duhej të vuanin. Një herë ai më tregoi se si kishte eliminuar një anëtar të Fatahut, për të cilin dyshonte se bashkëpunonte me Izraelin: vëllai i tij ishte anëtar i Hamasit, ai e urdhëroi që ta thërriste njeriun dhe ndërsa ai mbërriti, i hapën një varr. E hodhën brenda dhe e mbuluan me dhe: varrosur të gjallë, pa pyetje, pa asgjë, me një vëlla të detyruar të vriste tjetrin. Edhe për një person si unë, i mësuar me histori të caktuara, ishte e vështirë t’i hiqja ato imazhe nga koka ime”.

Çfarë fshihet pas kaq shumë dhune?

“Sinwar nuk është psikopat. Ai është inteligjent, racional dhe jashtëzakonisht agresiv: dikush që ka krijuar një marrëdhënie me Sheik Jasin, pavarësisht nga diferenca e moshës në stërvitje dhe fe: ai e ka ndjekur atë që kur ishte 13 ose 14 vjeç”.

“Ajo që e udhëheq atë është një ide e shtrembëruar e fesë, e porosive të Kuranit: ai beson 100% se të gjithë hebrenjtë duhet të vriten”.

Sipas tij, nuk po flasim për një person normal: por për dikë që në çdo veprim udhëhiqet nga ky obsesion.

“Do t’ju them një gjë: nën tokë me të, në ato tunele, është djali i tij i vetëm, i lindur pas lirimit. Sinwar e di se do të vdesë, se herët a vonë do ta marrin: cili prind do të donte që fëmija i tij të vdiste kështu? Ai zgjodhi atë djalë të vogël për të vdekur, në emër të kauzës së tij. Asnjë kompromis”.

Por ai bëri një kompromis: pauzën që lejoi lirimin e disa prej pengjeve.

“Ajo pauzë i shërbeu atij dhe Mohammed Deifit (udhëheqësit ushtarak të Hamasit) të rigrupohen: nuk mund ta imagjinoni se sa nga ushtarët tanë vdiqën për shkak të asaj pauze”.

“Tani thashethemet për një negociatë të re janë një farsë: ai do të pranonte lirimin e të gjithë pengjeve vetëm në këmbim të një ndalimi total të luftimeve. Dhe Izraeli nuk do të pajtohet kurrë me këtë”.

Sinwar u lirua nga burgu në vitin 2011.

Më i rëndësishmi nga 1 mijë e 27 të burgosurit e shkëmbyer me ushtarin Gilad Shalit, i kapur në vitin 2006.

Ai u bë kreu i Hamasit në Gaza në vitin 2017, u konfirmua në vitin 2021.

Po ku e bazon ai udhëheqjen e tij?

“Ai u zgjodh sepse është më mizori nga të gjithë liderët e Hamasit. Dhe për shkak se ai ka shumë marrëdhënie: që kur u lirua nga burgu ai është fokusuar në zgjerimin e kontakteve me iranianët. Aty i merr paratë dhe armët. Në fund, ai u zgjodh sepse ishte i sigurt se mund të bënte detyrën e tij: të shkatërronte Izraelin. Ai kurrë nuk kishte dyshime, ai gjithmonë pohoi se koha ishte në anën e tij”.

Një keqardhje…

“Është e lehtë ta thuash tani: por e kam thënë prej vitesh. Nuk duhet ta kishim liruar kurrë. kurrë. As ai, as të tjerët: as për Shalitin, as për ndonjë person apo arsye tjetër. U thashë politikanëve. I thashë personit në Mossad që nënshkroi paktin. Ishin 500 burra të Hamasit në vitin 1989, kur Sinwar u arrestua: ne mund t’i kishim ndaluar ata atëherë”.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore