Shqipëria

Sindikata e taksistëve në protestë: Jemi në prag falimentimi


Sindikata e taksistëve në Shqipëri, të premten e 11 marsit, ka zhvilluar një protestë përpara Kryeministrisë.

Kërkesat e tyre lidhen me uljen e çmimit të karburanteve, heqjen e taksës së akcizës dhe TVSH-në për këtë kategori, si dhe rishikimin e nenit që i ndalon ata të marrin pasagjerë në kthim.

Kreu i sindikatës, Bilbil Cara, fillimisht bëri me dije se nga viti 2009 nuk i kanë ngritur çmimet.

“Pika e dytë është anulimi i udhëzimit të vitit 2009, ku aty thuhet se liberalizimi i taksive 4 + 1. Kjo ka degraduar biznesin tonë, sepse çdo qytetar mund të blejë makinë dhe të punojë taksi. Ka ra puna për të gjithë. Është e vështirë që një taksist të punojë dhe të mbajë familje”.

Ndërsa një tjetër taksist, që vinte nga qyteti i Elbasanit, tha se po protestojnë për tri kërkesa, nga të cilat kryesorja “është rritja e çmimit të biletës”.

“Të ulet çmimi i naftës, nuk ia dalim dot me këtë tarifë. Në një ditë pune, makina ime harxhon 10 litra, i bie 27 mijë lekë. Për 1 km e gjysmë ne marrim 3 mijë lekë. Çmimi është dyfishuar. Ka shumë padrejtësi. Ka taksi pa letra. Ka taksi që nuk paguajnë taksat. Bashkitë dhe pushteti bëjnë sikur nuk dinë gjë, por në fakt i dinë të gjitha. Bashkia e Tiranës nuk na lejon pasagjerët në kthim. Janë shumë probleme që nuk na i zgjidh njeri”.

Përveç Sindikatës së taksistëve, qytetarët prej dy ditësh radhazi kanë zhvilluar protesta kundër rritjes së çmimit të karburantit para Kryeministrisë.

Nga protesta e 10 marsit të qytetarëve

Qeveria shqiptare do të hyjë në administrimin e furnizimit të naftës

Kryeministri Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj

Nga ana tjetër, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një takim para furnizuesve të naftës, u shpreh se brenda 24 orëve do të miratohet një akt normativ dhe se qeveria shqiptare do të hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me furnitorët e naftës.

Kjo, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant.

Gjithashtu Rama shtoi se furnizuesit duhet të bëjnë një sakrificë në këtë moment lufte.

“Kjo nuk është koha për të fituar, por është koha për të rezistuar”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore