Lajme

“Si t’i flasësh murit”, Milanoviç: Serbia duhet ta pranojë që Kosova është e pavarur


Zoran Milanoviç

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, teksa ka komentuar situatën në pjesën veriore të Kosovës, ku serbët lokalë po protestojnë para objekteve komunale atje në përpjekje për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyra, tha se Serbia duhet ta kuptojë dhe ta pranojë se Kosovë është e pavarur.

“Serbia duhet ta kuptojë dhe pranojë se Kosova është e pavarur. Fatkeqësisht, kjo nuk është pranuar as nga disa anëtarë të Bashkimit Evropian”, deklaroi të martën para gazetarëve Milanoviç, transmeton gazeta kroate “Index”.

Presidenti kroat ndër të tjera pretendoi se në samitin e NATO-s vitin e kaluar, pas pushtimit të Ukrainës nga Ukraina, ishte i vetmi lider perëndimor që u bëri thirrje vendeve mos-njohësve evropiane (Spanja, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia) ta njohin Kosovën.

“Por, është si të flasësh me një mur. Disa vende nuk e kanë njohur, sepse i frikësohen precedentëve që përfundimisht, në ndonjë moment krize, në një rënie imuniteti, mund të zbatohen në vendet tyre dhe t’u merret diçka”, theksoi Milanoviç.

Milanoviç, i cili njihet për qëndrimet e tij konfrontuese dhe për më tepër, në shkurt krahasoi aneksimin e Krimesë nga Rusia me pavarësinë e Kosovës nga Serbia, duke thënë se “Serbisë ia kemi vjedhur Kosovën”, tash tha se Seria duhet të ndalojë së përsërituri se “Kosova është Serbi”.

“Nuk është vëlla, është punë e mbyllur”.

Kroacia mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Aktualisht rreth 3 mijë e 700 trupa shërbejnë në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it, i cili ende funksionon nën mandatin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore