Shqipëria

Shqipëria përdor për herë të parë në Sazan, sistemet amerikane të fluturimit pa pilot


Forcat Tokësore (FT) të Shqipërisë përdorën për herë të parë sistemet amerikane të fluturimit pa pilot (UAS), për kontrollin e zjarrit në ishullin e Sazanit.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtes, Niko Peleshi me anë të një statusi në median sociale, Facebook.

Si shkruan se sistemi i fluturimit pa pilot “PUMA RQ-20B”, përveç përdorimit ushtarak, u përdor për monitorimin e vatrave të zjarrit në Sazan.

Kjo mundësi, iu ofrua Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga SHBA-të.

“Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të SHBA. Falënderim për efektivin e mirëtrainuar të FT dhe komandantin gjenal Arben Kingji” mbyll shkrimin Peleshi.

Kujtojmë se vetëm disa orë më parë, ministri Peleshi lajmëroi neutralizimin e vatrave të zjarrit në ishullin e Sazanit. Kjo pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri.

Peleshi bëri me dije se 122 efektivë të Forcave të Armatosura, nëntë mjete, dy anije u angazhuan në operacionin e nisur tri ditë më parë për të shuar flakët.

Ndërkohë mëngjesin e kësaj dite nisi edhe ndërhyrja nga ajri.

Forcave në terren iu bashkua avioni “Canadair CL 415”, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

“Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll”, theksoi Peleshi.

Ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë.

Më herët u bë i mundur edhe neutralizimi i vatrave të zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës.

54 efektivë të Forcave të Armatosura iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit.

Në operacionin, i cili u finalizua në një kohë të shpejtë, u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.

Nga ana tjetër, Peleshi ka shprehur mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara.

Po ashtu u bëri thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident.

“Falënderime të përzemërta Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për mbështetjen, shtetit fqinj Greqisë për përgjigjen në kohë rekord me avionin Canadair”, e përmbyll Peleshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore