Shqipëria

Klosi: Vizita e Ramës në Athinë padyshim lidhet edhe me votën e emigrantëve


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka pohuar se vizita në Athinë e kryeministrit Edi Rama padyshim ka të bëjë edhe me votën e emigrantëve atje.

“Pra kontaktet që duhet të ketë shteti amë, Shqipëria me diasporën për të pasur një rienergjizim si kudo në Shqipëri dhe në diasporë të raportit të emigrantëve me shtetin shqiptar, ftesës që u duhet bërë  emigrantëve për të qenë pjesë e vizionit të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste të shprehur në Kongresin e 8 Dhjetorit për Shqipërinë e vitit 2030 dhe të kenë mundësinë të kuptojnë se kjo Shqipëri e cila ka ndryshuar shumë, të jetë një vend ku diaspora të japë kontributin e saj”.

Ai ka theksuar edhe njëherë se vullneti i Partisë Socialiste për sa i përket votës së emigrantëve tani është i shprehur.

“Falë këtij vullneti, falë votës së deputetëve të Partisë Socialiste në kodin elektoral, ndryshimet që janë bërë në mandatin e kaluar dhe që tani janë aktive është sanksionuar vota e emigrantëve”, ka vijuar ai.

Ndërkohë Klosi ka ravijëzuar se nuk ka asnjë tendencë që vizita në këtë tur të jetë politike.

Aktivitetet që do të zhvillohen nuk janë me logon e Partisë Socialiste. Janë aktivitete me diasporën shqiptare për të folur për atë çfarë Shqipëria tashmë ka arritur, çfarë Shqipëria i ofron komunitetit tonë, bashkëatdhetarëve tanë kudo që ata ndodhen dhe sidomos në vendet ku ne do të shkojmë ti vizitojmë”.

Vota e emigrantëve – sipas tij – është një votë që ka nevojë për të pasur një procedurë standarde, dhe një debat politik për mënyrën sesi kjo votë do të realizohet.

“Prandaj them që ne jemi jo vetëm të dëshiruar, por jemi ne që kemi shprehur vullnet politik me votën në Parlament për të realizuar votën e emigrantëve”.

Teksa është pyetur se pse vizita e kreut të qeverisë korrespondon me 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, ai ka thënë se “nuk ka asnjë tendencë që takimi i Athinës të ndikojë në politikat e brendshme të vendit”.

Po ashtu, i pyetur nëse do të ketë PS të njëjtin standard për hetimet ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj siç ka pasur për zyrtarët e tjerë, Klosi u përgjigj duke thënë se “nuk kemi asnjë koment për vendimet që do të marrë drejtësia, por kushdo që është kërkuar për të dhënë informacion nuk ka pasur pengesë nga PS e nga kryeministri dhe është një realizim i një premtimi tonë elektoral, realizimi i një drejtësie të pavarur dhe nuk mund të jetë e komanduar nga vullneti politik. Kushdo do të japë informacione”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore