Shqipëria

Kritike situata në Sazan, shtohen forcat për shuarjen e zjarrit


Vijon të jetë kritike situata në ishullin e Sazanit, pasi flakët po përhapen për shkak të erës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi.

Ai ka theksuar se është shtuar numri i efektivëve, të cilët janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit.

“Prej orëve të para të ditës ka rinisur puna për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit”, shkruhej në njoftimin e Peleshit.

Sakaq, pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë po marrin pjesë në shuarjen e zjarrit.

Ndërsa ai u ka bërë thirrje banorëve që të tregojnë kujdes. Kjo për faktin se tymi i krijuar rrezikon qëndrimin në zonë.

“Përpjekjet po vijojnë për të mbajtur situatën nën kontroll”, përmbyllet njoftimi i ministrit.

Më herët Peleshi bëri me dije se disa vatra zjarri – të paktën ato më të rrezikshmet – ishin izoluar nga puna e Forcave të Armatosura, të cilat, gjatë gjithë natës, kanë luftuar me flakët, në një terren shumë të vështirë për natyrën e relievit që ka ishulli shqiptar.

Me zjarret në ishullin e Sazanit kanë qenë të angazhuar prej ditës së djeshme 61 efektivë të forcave të ndryshme. Teksa, rotacione për t’u dhënë kohë pushimi punonjësve janë bërë edhe gjatë natës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore