Shqipëria

Shuhet zjarri në Mirditë – vijon aksioni në Sazan


Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar se 54 efektivë të Forcave të Armatosura, të përqendruar në fshatin Elgjin, njësia administrative Orosh në Mirditë, kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Përveç tyre, pjesë e aksionit ishin edhe forca të zjarrfikëses dhe banorë të zonës. Zjarri nisi një ditë më parë.

Kështu, Ministria theksoi se u shmang totalisht edhe rreziku për banesat.

Ndër të tjera ka shprehur vlerësime për punën e gjithkujt në emergjenca të tilla. Sipas saj, nevojitet më së shumti bashkimi dhe vullnetarizmi.

Ndërsa, sa i përket gjendjes në ishullin e Sazanit, Ministria shpjegoi se vijon operacioni nga ajri dhe toka për shuarjen e zjarrit.

Avioni “Canadair Cl 415” – mbështetje nga Greqia dhe Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së – i është bashkuar aksionit që po vijon prej më shumë se 48 orësh nga terreni.

Sakaq, atje janë të pozicionuara 122 trupa të Forcave të Armatosura, mjete detare dhe zjarrfikës, etj., janë duke punuar për të ndërprerë përhapjen e flakëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore