Shqipëria

Vjen ndihma e parë për zjarret, Greqia sjell avionin e madh Canadair


Greqia është shteti i parë që i është përgjigjur një emergjence të vërtetë në ishullin e Sazanit, të krijuar pas zjarrit të rënë dy ditë më parë dhe të përhapur gjerësisht, duke rrezikuar edhe shpërthimin e disa municioneve ushtarake në një repart jo më funksional.

Një avion i tipit Canadair CL 415, i cili shërben pikërisht për fikjen e zjarreve, është vënë në dispozicion të autoriteteve shqiptare, për të ndihmuar në kontrollimin e flakëve në Sazan.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan”, shkruan Peleshi. “Eskpertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren”.

Kjo ndihmë sipas ministrit, ka ardhur edhe falë Mekanizimit të Mbrojtjes Civile në Bashkimin Evropian, me anë të cilit vendet e mëdha evropiane mund t’i vijnë në ndihmë shteteve më të vogla për emergjenca të këtij lloji.

Situata në Sazan vijon të jetë e vështirë për shkak të terrenit dhe temperaturave të larta në këtë fillim qershor.

Një ndihmesë e mundshme mund të jenë edhe reshjet e shiut, të cilat pritet të pushtojnë vendin në mesjavë.

Pavarësisht këtij fakti, deri atëherë, situata duhet mbajtur nën kontroll, për shkak të afërsisë së zjarrit me repartin.

Sipas banorëve të Vlorës, ditën e djeshme janë dëgjuar disa shpërthime nga përtej detit, por nuk ka ende një konfirmim zyrtar nëse municionet janë prekur apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore