Shqipëria

Neutralizohen 14 vatra zjarri në ishullin e Sazanit


Forcat e Armatosura kanë neutralizuar 14 vatra zjarri në ishullin e Sazanit.

Lajmin e bëri të ditur ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili shtoi se rreth 100 forca të tjera ushtarake janë dërguar në terren për të shuar zjarret.

“Pas një pune të pandërprerë, efektivët e FA kanë mundur të neutralizojnë rreth 14 vatra zjarri në ishullin e Sazanit. Rreth 100 trupa të tjerë të Forcave të Armatosura po dërgohen në terren”.

Ministri shtoi se janë dërguar edhe tre anije të Forcës Detare.

“Ndërsa janë vënë në dispozicion edhe 3 anije të Forcës Detare. Trupat vazhdojnë operacionin e izolimit të plotë të flakëve, krijimin e brezit të shpyllëzimit me mjete shtesë nga Komanda Mbështetëse”.

Prej fundjavës, ishulli i Sazanit është i pushtuar nga flakët, për shkak të një zjarri të rënë, i cili po djeg qindra metra katrorë bimësi.

Një grup pune prej 61 efektivësh u nis fillimisht drejt ishullit, në përpjekje për të frenuar disi ritmin e shpejtë me të cilin flakët po përhapen.

Kryesisht, të angazhuara në këtë mision janë efektivë nga Forcat Detare dhe Forcat Tokësore, së bashku me zjarrfikësit e Vlorës.

Në postimin e ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, theksohet se po bëhen përpjekje maksimale, në kushte shumë të vështira, pasi terreni jo i volitshëm dhe bimësia e vështirësojnë shuarjen e flakëve.

Ngjarje të tilla me zjarret qenë një problem shumë i madh në të gjithë vendin edhe përgjatë sezonit të shkuar veror, pasi mijëra hektarë pyje e bimësi u dogjën si pasojë e temperaturave të larta, por edhe qëllimësisë së njerëzve.

Vendosja e qëllimshme e zjarrëve është vepër penale në Shqipëri dhe ajo ndëshkohet me burgim.

Në rastin e ishullit të Sazanit ndërkohë, ende nuk dihen shkaqet, të cilat po sjellin pasoja të tilla për ekosistemin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore