Lajme

Rohde: Kurti ka qenë në dijeni për kushtëzimin rreth Asociacionit – jam i befasuar që ai u shpreh i befasuar


Jorn Rohde

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një përgjigje për platformën “Kallxo” të enjten, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet të befasohet sepse ka qenë në dijeni se Gjermania e Franca duan që të procedohet draftstatuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për ta siguruar mbështetjen në Këshillin e Europës.

Kancelari i Gjermanisë dhe presidenti i Francës – Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron – paralajmëruan kreun e ekzekutivit kosovar se mosdërgimi i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për vlerësim kushtues do ta vendosë në pikëpyetje mbështetjen franko-gjermane në fazën e fundit të anëtarësimit në organin pan-evropiane të të drejtave të njeriut.

“Edhe unë jam i befasuar që ai u befasua. Sepse kryeministri Kurti ka folur me presidentin francez Macron, ai foli me kancelarin tim, ai takoi ministrin tim të jashtëm dhjetë ditë më parë në Berlin, dhe ne kishim të njëjtin mesazh për të: Bëj diçka në Asociacion dhe kjo ndihmon për të siguruar një shumicë”, deklaroi Rohde pas ‘habisë’ së shprehur nga kryeministri i vendit.

Rohde shtoi se dërgimi i draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese do të ishte sinjal i mjaftueshëm për ta siguruar mbështetjen e nevojshme, duke shpresuar që kryeministri Kurti të ndërrojë mendje para mbledhjes së Komitetit të Ministrave – organi vendimmarrës i organizatës – që pritet të mbahet më 16 ose 17 maj 2024.

“E para, a do të votohet? Sepse ne kemi thënë dhe kemi shprehur mendimin tonë se një votim i dështuar do të ishte fatkeqësi. Kosova ka një shans unik për t’u anëtarësuar së shpejti. Dhe ajo që do të donim është që Kosova të marrë vendimin e duhur, kështu që unë do të preferoja të mos kisha një vendim tani, nëse Kosova nuk po bën hapin e pritur që presim prej tyre”.

Kryeministri i Kosovës, në një konferencë për media të mërkurën, derisa u distancua nga përgjegjësia në rast se vendi dështon t’i sigurojë votat e nevojshme për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, deklaroi se “nuk ka faj” për “mungesën e përkrahjes” nga “shtetet demokratike” që kërkuan “sinjale të qarta” para se ata të bien dakord për pranimin e Kosovës.

Gjithashtu, ai e hodhi poshtë kushtin e Gjermanisë dhe Francës që nëse Kosova dëshiron të bëhet anëtarja më e re e organizatës më të vjetër, ajo duhet të ndërmarrë hapa konkretë dhe të pakthyeshëm drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nën arsyetimin se asociacioni nuk ka të bëjë me pranimin e vendit në Këshillin e Evropës.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropianë për momentin nuk është në agjendën e Komitetit të Ministrave që mblidhet në mes të majit në Strasburg të Francës. Kjo ka të ngjarë të çojë në shtyrjen e vendimmarrjes përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës – ndoshta – për të paktën një vit, nëse jo më shumë, përveç nëse bëhet progres javët në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore