Shqipëria

Shqipëria në Listën D për udhëtimet drejt Italisë


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, të martën e 31 gushtit, ka njoftuar se Shqipëria vazhdon të mbetet në vendet e Listës D për udhëtimet drejt Italisë.

Duke nisur nga data 31 gusht deri më 25 tetor 2021, çdo qytetar që udhëton drejt Italisë duhet të paraqesë certifikatën e gjelbër COVID-19, që vërteton vaksinimin e plotë ose një certifikatë të ngjashme të lëshuar nga autoritetet kompetente shëndetësore vendase që deklaron përfundimin e vaksinimit.

Gjithashtu, sipas njoftimit, certifikata mund të jetë në formë digjitale ose e printuar.

Shteti italian njeh vaksinat e autorizuara nga EMA: Pfizer Biotech, Moderna, AstraZeneca, Jonhson & Johnson.

Qytetarët, që udhëtojnë drejt Italisë, duhet të kenë një test molekular PCR ose antigjenik, kryer brenda 72 orëve para nisjes.

Formulari PLF duhet të plotësohet gjithashtu.

Në rast së mospasjes së dokumenteve të mësipërme, është e detyrueshme një periudhë vetizolimi prej pesë ditësh në Itali, në adresën e treguar në Formularin e Deklarimit të Pasagjerit (PLF) dhe duhet të kryejnë një test në fund të periudhës pesë ditore.

Ministria bën me dije se nuk kërkohet një motiv për udhëtimin, si nevoja për punë ose studim, arsye shëndetësore, urgjencë absolute, kthim në shtëpi.

Fëmijët nën moshën 6 vjeç përjashtohen nga testimi molekular ose antigjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore