Shqipëria

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bëhen bashkë për Ohrin


Ministrja e Kulturës në Shqipëri, Elva Margariti dhe homologia e saj e Maqedonisë së Veriut, Irena Stefoska, në emër të komiteteve kombëtare të UNESCO-s, nënshkruan të hënën e 12 korrikut në Ohër një deklaratë të përbashkët që detyron të dy vendet të bashkojnë forcat në adresimin e sfidave të trashëguara dhe të vazhdueshme.

Më tej, në përshpejtimin e aktiviteteve që synojnë ruajtjen e Rajonit të Ohrit si një nga trashëgimitë natyrore dhe kulturore të botës, e mbrojtur nga UNESCO.

Elva Margariti shkruajti në mediat sociale në përfundim të takimit se u diskutua rreth arritjeve të deritanishme, problematikave dhe planit të veprimit për të shkuar përpara në përmbushjen e rekomandimeve të dhëna nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe Misioni Reaktiv 2020.

“Në këto dy vite, pavarësisht problemeve të mëdha, me të cilët është përballur Shqipëria, që nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 te pandemia COVID-19, kemi hedhur hapa të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë së pasur natyrore dhe kulturore të rajonit të Ohrit”, shkruan Margarit në Facebook.

Ajo shtoi se pas këtij takimi, të dyja vendet ranë dakord për t’u angazhuar tërësisht në zbatimin e një plani strategjik të përbashkët, për rimëkëmbjen e këtij rajoni, shoqëruar nga një plan veprimi të detajuar mbi masat që do të ndërmerren për të parandaluar çdo lloj rreziku, që mund t’i kanosen pasurisë së këtij rajoni, që tashmë nuk është vetëm e palës shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore