Shqipëria

Shqipëria dhe 8 shtete, kërkesë në Këshillin e Sigurimit: Të denohet testi i raketave koreano-veriore


Shqipëria dhe tetë vende të tjera i kanë bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të dënojë testet e fundit të raketave koreano-veriore.

Kjo, pasi takimi me dyer të mbyllura dështoi që të ndërmarrë ndonjë veprim konkret kundër Phenianit zyrtar.

Takimi i së premtes shënoi përpjekjen e dytë të Shqipërisë dhe vendeve të tjera – që bien dakord – për t’i kërkuar llogari Koresë e Veriut.

Ajo organizoi raundin e shtatë dhe të fundit të lëshimit të raketave të vitit më 30 janar.

Reagimi

“Lëshimi i një rakete balistike me rreze të mesme veprimi (IRBM) nga DPRK më 30 janar është një përshkallëzim i rëndësishëm në shkeljet e fundit nga DPRK të rezolutave të shumta të Këshillit të Sigurimit dhe synon të destabilizojë më tej rajonin. Ne e dënojmë këtë veprim të paligjshëm në termat më të fortë”, lexohet në deklaratën e përbashkët të vendeve.

Deklarata u nënshkrua nga përfaqësuesit e tetë vendeve të tjera anëtare të KS-së: Shtetet e Bashkuara, Brazili, Britania, Franca, Irlanda, Japonia, Norvegjia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ata vunë në dukje se IRBM-ja shënoi testin me rrezen më të gjatë të kryer nga Koreja e Veriut që nga fundi i vitit 2017.

Në reagim cilësohet gjithashtu se Pheniani deri më tani ka lëshuar nëntë raketa balistike në shtatë raundet e testeve brenda vitit.

“Nëntë raketat balistike të lëshuara në janar janë numri më i madh i lëshimeve që DPRK-ja ka kryer në një muaj të vetëm në historinë e programeve të saj të armëve luftarake dhe raketave balistike”, vijon deklarata e përbashkët.

Në përmbyllje përfaqësuesit u bënë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit që të shprehen njëzëri “për të dënuar këto akte të rrezikshme dhe të paligjshme”.

Koreja e Veriut ka mbajtur një moratorium të vetë-imponuar për testimin e raketave bërthamore dhe me rreze të gjatë që nga nëntori i vitit 2017.

Kohë, kur testi i fundit qëlloi një raketë balistike ndërkontinentale, pas testit të saj të gjashtë dhe të fundit bërthamor në shtator të po atij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore