Lajme

SHBA, vdekja e George Floyd, dëshmon shefi i policisë në Minneapolis


Në vazhdën e seancave gjyqësore për vrasjen e George Floyd, të hënën e 5 prillit ka dëshmuar dhe shefi i policisë së Minneapolis-it.

Ai tha se ish-oficeri Derek Chauvin, shkeli politikën e agjencisë për forcën gjatë arrestimit të George Floyd.

Shefi Medaria Arradondo tha se mënyra se si Z. Chauvin e mbajti z. Floyd nuk ishte në përputhje me trajnimin dhe “sigurisht që nuk ishte pjesë e etikës dhe vlerave tona”.

Shefi i policisë shkarkoi Chauvin-in dhe tre oficerët e tjerë të përfshirë në ngjarje, disa ditë pas vdekjes së Floyd.

Chauvin, i cili po gjykohet për vrasje, ka mohuar akuzat kundër tij.

Pamjet e ish-oficerit Chauvin, me gjurin të vendosur mes qafës dhe kokës të afrikano-amerikanit Floyd, për më shumë se nëntë minuta, vitin e kaluar ndezën protesta globale kundër racizmit.

E hëna shënon ditën e gjashtë të gjyqit të Chauvin, i cili pritet të zgjasë të paktën një muaj.

Ndërsa oficerët e policisë rrallë dënohen ose akuzohen fare për vdekjet që ndodhin në paraburgim, vendimi në këtë gjyq po shihet si një tregues se si sistemi ligjor amerikan do të trajtojë raste të tilla në të ardhmen.

Çfarë tha shefi i policisë?

Prokurorët, të cilët kërkojnë të provojnë se veprimet e Chauvin bien në kundërshtin me trajnimin e tij, i përqendruan pyetjet e tyre në udhëzimet dhe strategjitë e departamenteve të mësuara për të ndihmuar oficerët të de-përshkallëzojnë situatat.

Arradondo i tha gjykatës se Floyd nuk duhej të ishte përmbajtur nga mënyra që përdorën oficerët pasi ai ndaloi së rezistuari.

Ai tha se lloji i përmbajtjes që po përdorte Chauvin, 45 vjeç, erdhi “pasi nuk kishte më rezistencë dhe dukej qartë se Floyd nuk ishte më i përgjegjshëm dhe madje i palëvizshëm”.

“Kjo, në asnjë mënyrë, nuk është pjesë e trajnimit tonë, dhe sigurisht nuk është pjesë e etikës dhe vlerave tona”.

Arradondo gjithashtu vuri në dukje se do të ishte e rrallë që oficerët të merrnin në paraburgim një të dyshuar të akuzuar për dhënien e një monedhe të falsifikuar, siç ishte Floyd.

Shefi i policisë tha se “të flasësh për të dalë nga një situatë” ishte gjithmonë më mirë sesa të përdorësh forcë, duke shtuar se oficerët mund të kërkojnë “ndihmën e komunitetit” kur është në dispozicion.

Kur Nelson tregoi kënde të ndryshme të pamjeve të arrestimit, Arradondo gjithashtu vuri në dukje se përpara se të mbërrinin mjekët, dukej se Chauvin e kishte zhvendosur gjurin në shpatullën e Floyd.

Kush është shefi Arradondo?

Arradondo u bashkua me forcat policore në vitin 1989. Ai u bë shefi i parë i policisë afrikano-amerikane në qytet në vitin  2017.

Qershorin e kaluar, Arradondo tha se “vdekja tragjike e Floyd nuk ishte për shkak të mungesës së trajnimit”.

Ai e quajti vdekjen e Floyd “vrasje” dhe tha se Chauvin “e dinte që Floyd nuk po reagonte” gjatë minutave të fundit të jetës së tij.

Kjo nuk është hera e parë që Arradondo dëshmon kundër një ish oficeri.

Si ndihmës shef, ai dëshmoi kundër patrulluesit Mohamed Noor, për vrasjen e gruas australiane Justine Damond në vitin 2017.

Më parë në karrierën e tij, ai paditi me sukses departamentin e policisë në Minneapolis së bashku me katër oficerë të tjerë, duke akuzuar forcën për tolerimin e praktikave diskriminuese.

Çfarë ka ndodhur deri tani?

Të hënën, gjykata dëgjoi gjithashtu nga Dr. Bradford Wankhede Langenfeld, i cili shpalli të vdekur Floyd 30 minuta pasi ai arriti në Qendrën Mjekësore të Qarkut Hennepin.

Dr. Lagenfeld tha se ai besonte se vdekja e Floyd ishte shkaktuar nga mungesa e oksigjenit, e quajtur asfiksi.

Prokurorët kanë sugjeruar që asfiksia ishte shkaku i vdekjes së Floyd. Ndërsa vendimi i ekzaminuesit mjekësor. Nxori në pah se Z. Floyd vdiq nga “arrest kardiopulmonar”.

Ekipi mbrojtës i Chauvin ka pohuar se përdorimi i dyshuar i drogës dhe një gjendje themelore e zemrës kanë kontribuar në vdekjen e Floyd.

Paraqitja e mjekut në gjykatë pason dëshminë e dy ndihmës mjekëve të cilët thanë se Floyd nuk kishte puls dhe nuk dukej se merrte frymë kur arritën në vendin e ngjarjes.

Në ditën e katërt të gjyqit ndaj policit Derek Chauvin, për vrasjen e amerikanit Gerorge Floyd, më 1 prill, dëshmuan dy ndihmës mjekë dhe e dashura e Floyd.

Dita e tretë e seancës gjyqësore, më 31 mars, për vdekjen e amerikanit me ngjyrë, George Floyd, u nis me pamjet e reja në momentin kur u shtri në tokë nga polici Derek Chauvin.

Seanca e dytë gjyqësore u mbajt më 30 mars, ku dëshmuan katër të rinj.

Në seancën e 29 marsit, dëshmoi Donald Williams, tha përpara prokurorisë, se Floyd ishte “duke u zbehur ngadalë”, gjatë nëntë minutave që Chauvin i vendosi gjurin midis kokës dhe qafës së tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore