Lajme

SHBA, dita e tretë e gjyqit për George Floyd


SHBA

Dita e tretë e seancës gjyqësore, më 31 mars, për vdekjen e amerikanit me ngjyrë, George Floyd, u nis me pamjet e reja në momentin kur u shtri në tokë nga polici Derek Chauvin.

Në pamje shihet Floyd duke u lutur oficerëve gjatë arrestimit të tij,”unë nuk jam një djalë i keq”.

Chauvin, i cili që nga ajo kohë është pushuar nga forca e policisë, mohon akuzat për vrasje të qëllimshme.

Vdekja e Floyd në vitin 2020 shkaktoi protesta globale për policinë dhe racizmin.

Avokatët e mbrojtjes kanë treguar se ata do të argumentojnë se 46-vjeçari, Floyd, vdiq nga një mbidoza dhe shëndeti i dobët. Sipas tyre forca e përdorur ishte e arsyeshme.

Vëzhguesit në ditën e tretë të gjyqit thanë se pamjet e treguara të veprimeve të Floyd para dhe gjatë arrestimit mund të jenë një përpjekje nga prokurorët për t’u marrë me pretendimet se droga luante një rol në vdekjen e tij.

Çfarë tregon filmimi i kamerave të trupit?

Gjykatës i janë treguar pamjet nga kamerat e vendosura në trupat e oficerëve Thomas Lane, J Alexander Kueng dhe Tou Thao. Kamera e Chauvin ra në tokë ndërsa arrestimi u zhvillua dhe kështu nuk dha një regjistrim vizual të ngjarjes.

Në pamjet e Lane, Floyd shihet duke u konfrontuar nga policia. Ai degjohet duke thënë, “ju lutem mos më qëlloni. Unë thjesht kam humbur mamanë time”.

Ndërkohë Floyd është i prangosur dhe vazhdon t’u përgjërohet oficerëve Lane dhe Kueng, duke thënë se ai nuk po u reziston atyre dhe “do të bëj gjithçka që ju të më thoni”.

Në pamjet e paraqitura tregohet se kur policia përpiqet ta fusë Floyd në automjet, ai fillon të qajë dhe të rezistojë ndërsa thotë se është klaustrofobik dhe ka ankth.

Ndërsa oficerët e policisë e tërheqin atë nga makina dhe e rrëzojnë në tokë, Floyd dëgjohet duke thirrur nënën e tij dhe duke u thënë anëtarëve të familjes së tij se ai i do ata.

Kalimtarët e rastit fillojnë t’i bërtasin oficerëve për të kontrolluar pulsin e Floyd dhe të ndalojnë forcën e ushtruar ndaj tij.

Çfarë thanë dëshmitarët të mërkurën?

Punonjësi i dyqanit Christopher Martin, 19 vjeç, i tha gjykatës se ai komunikoi shkurtimisht me Floyd si klient brenda Cup Foods pak para arrestimit të tij.

Ai tha se Floyd “dukej se ishte i lartë” sepse u mundua t’i përgjigjej një pyetje të thjeshtë, por ai ishte aq i qartë sa të ishte në gjendje të zhvillonte një bisedë.

Ai e përshkroi Floyd si “miqësor dhe të afrueshëm”.

Në videon e kamareva të dyqanit, Floyd mund të shihet duke qeshur, duke folur me njerëzit dhe duke ecur përreth.

Martin i tha jurisë se ai i kishte shitur Floyd një pako cigare dhe mori një monedhë të falsifikuar si pagesë.

Martin përshkroi se monedah dallohej nga ngjyra dhe struktura e tij se ishte e rremë. Por shtoi se Floyd “nuk dukej se e dinte se ishte një shënim i rremë”.

Ai tha se kishte menduar ta linte dyqanin ta ulte atë nga pagat e tij në vend që të përballej me Floyd, por më pas vendosi t’ia tregonte menaxherit të tij. Një tjetër punonjës thirri policinë.

Martin, i cili ishte dëshmitar i arrestimit, tha se ndjeu “mosbesim dhe faj” sepse “nëse thjesht nuk do ta kisha marrë faturën, kjo do të ishte shmangur”.

Charles McMillian, 61 vjeç, ishte një tjetër dëshmitar që doli para gjykatës të mërkurën..

McMillian duket se ka qenë dëshmitari i parë në skenën e arrestimit të Floyd.

McMillian tha se i kujtohet se ishte ndjerë “i pafuqishëm” duke parë incidentin. Ai mund të dëgjohet në video duke i thënë Chauvin-it, “gjuri juaj në qafë, është te njeriu i gabuar”.

Ndërsa gjykatës iu treguan pamjet e arrestimit, McMillian filloi të qajë dhe gjyqtari bëri thirrje për një pushim të shkurtër.

Çfarë tjetër ka ndodhur në gjyq deri më tani?

Në deklaratat hapëse të hënën, Prokurori Jerry Blackwell i tha jurisë se Chauvin kishte “tradhtuar distinktivin e tij” duke u vendosur gjurin në qafën e Floyd, dhe duke përdorur “forcë të tepruar dhe të paarsyeshme” për ta ndaluar atë.

Ndërkohë, avokati i Chauvin-it, Eric Nelson, tha se çështja kishte të bënte me prova, jo me një “kauzë politike ose shoqërore”.

Ai tha se Z. Floyd vdiq nga një mbidozë.

Katër dëshmitarë të rinj dolën përpara trupës së gjykatës.

Darnella adoleshentja, videoja i së cilës për vdekjen e Floyd shkaktoi protesta globale tha se ajo “qëndron zgjuar duke kërkuar falje” për të që “nuk ka bërë më shumë”.

Ajo i tha gjykatës se kishte filluar të filmonte në telefonin e saj sepse “pa një burrë të tmerruar, duke u lutur për jetën e tij”.

Një dëshmitar, Donald Williams II, u mor në pyetje për më shumë se një orë nga prokuroria dhe mbrojtja të hënën dhe përsëri të martën.

Ai i tha gjykatës Z. Chauvin kishte përdorur një teknikë të rrezikshme të quajtur “mbytje gjaku” dhe po lëvizte gjurin para-mbrapa për të rritur presionin mbi shpinën dhe qafën e Floyd.

Ai hodhi poshtë sugjerimet e mbrojtjes se bashkëveprimi i tij dhe kalimtarëve të tjerë me policinë kishin qenë kërcënues për oficerët atje.

Dëshmitarja tjetër, Genevieve Hansen, një zjarrfikëse jashtë shërbimit, tha se oficerët e ndaluan atë nga dhënia e ndihmës së parë mjekësore, pasi do t’i shpëtonte jetën Floyd.

Ajo u qortua nga gjykatësi për përgjigjet e saj me dëshmi nga pyetjet e mbrojtjes.

Chauvin ka heshtur por qëndroi i angazhuar gjatë procedurave, duke mbajtë shënime ndërsa dëgjonte dëshmitë.

Pse është kaq e rëndësishme kjo çështje?

Pamjet e video-s të Darnella-s, ku Derek Chauvin u gjunjëzua në qafën e George Floyd u përhap në të gjithë botën dhe shkaktoi protesta masive për arsye racore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Për shumë, vdekja e Floyd, u bë një simbol i gjallë i brutalitetit të policisë. Veçanërisht kundër njerëzve me ngjyrë dhe kjo shkaktoi demonstrata në mbarë botën për drejtësi racore.

Por, përkundër protestës globale, kjo nuk është një çështje e hapur dhe e mbyllur.

Në SHBA, policia rrallë herë dënohet për vdekje që ndodhin ndërsa janë në detyrë, ose nuk akuzohen fare.

Vendimi në këtë rast do të shihet gjerësisht si një tregues se si sistemi ligjor amerikan trajton vdekjet që ndodhin në krye të detyrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore