Lajme

ShBA të shqetësuar për aktivitetet anti-Dejton të Republikës Srpska në BeH


Ambasadori amerikan në Sarajevë, Michael Murphy

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuara për aktivitetet anti-Dejton që Bosnje e Hercegovinës i vijnë nga Republika Srpska” – entiteti serb në BeH, ka thënë ambasadori amerikan në Sarajevë, Michael Murphy.

“Kjo është arsyeja pse ne shpallëm sanksionet ndaj zyrtarëve të RS-së. Dua të jem i qartë për këtë: këto sanksione janë të drejtuara kundër individëve për veprimet e tyre, jo kundër qytetarëve të RS-së”, tha ai, transmeton media boshnjake “Oslobodenja”.

Diplomati amerikan beson se ardhmja e BeH-së dihet që të jetë integrimi në institucionet euroatlantike dhe se sipas tij këtë e dëshirojnë qytetarët e këtij vendi.

“Nuk mund të arrish në atë rrugë nëse nuk punon shumë në atë drejtim. Çmimi do të jetë i madh për qytetarët e këtij vendi nëse politikanët nuk punojnë me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve, shtoi.

Ai foli edhe për vizitën e të Dërguarit Special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në BeH, ku edhe njoftoi për takimet që top-diplomati amerikan i ka pasur me disa nga liderët politikë atje, përfshirë Ministrin e Mbrojtjes dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Escobar nuk e takoi presidentin ultra-nacionalist të RS-së, Millorad Dodik.

Për këtë, Murphy theksoi se zyrtarët e shtetit që ai përfaqëson nuk i takojnë ata që janë të sanksionuar, kjo pasi që Dodik është në listën e zezë të ShBA-së.

Ai potencoi se ShBA-të i thanë qartë Dodik-ut se çfarë mendojnë për veprimet e tij, por shtoi se ata do të vazhdojnë të operojnë në RS.

“SHBA së pari analizon provat në detaje. Ka procese përpara se të shpallim sanksione. Nëse ata vazhdojnë të veprojnë kundër Dejtonit, ne do të vazhdojmë të veprojmë kundër tyre. Do të ishte ideale të ndryshonte qëndrimin e liderëve politikë në këtë vend për këtë sjellje”.

Por nëse nuk ndryshon, nënvizon ai, “SHBA do të vazhdojë të mbajë përgjegjës individët që sillen kështu”.

Sa i përket reagimeve ndaj sanksioneve, ai thotë se është prodhim i teorive të tëra konspirative.

“Ata e paraqesin veten si avatarë të popullit të tyre, gjë që nuk është e vërtetë. Kur takohem me njerëz të ndryshëm, ata janë qytetarë të këtij vendi. Serbët shqetësohen çdo mëngjes nëse do të kenë para të mjaftueshme për të paguar atë që i nevojitet familjes së tyre, ashtu si gjithë të tjerët. Ne nuk veprojmë kundër atyre njerëzve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore