Lajme

ShBA-të mirëpresin vendimin e Speciales ndaj Mustafës: S’po gjykohet UÇK-ja apo Kosova


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më saktësisht, Departamenti Amerikan i Shtetit, ka mirëpritur vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, për shpalljen fajtor të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Kështu të paktën ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, përmes një komunikate për media.

Mustafa, i cili njihet ndryshe edhe si komandant Cali, u shpallë fajtor në disa pika nga Gjykata Speciale të premten – “torturë, ndalim arbitrar vrasje të paligjshme” dhe për këtë u dënua me 26 vjet heqje lirie.

Ai u cilësua i pafajshëm vetëm për pikën e aktakuzës “trajtim mizor”.

Për ShBA-të vendimi i Gjykatë Speciale në këtë rast ndaj Salih Mustafës, nuk është aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, po ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin në rastin kundër Salih Mustafës, rasti i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që përfshin akuza për krime lufte”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan.

“Ky aktgjykim është një hap i fortë drejt ndihmës së Kosovës për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat. Ne gjithashtu përgëzojmë guximin e viktimave dhe dëshmitarëve individualë që dolën përpara dhe dënojnë kërcënimet dhe frikësimet me të cilat janë përballur. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundur”.

Duke qenë se Mustafa u shpallë fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues kishte përcaktuar fillimisht nga një dënim për vete për secilën vepër penale për të cilën është dhënë vendim fajësie.

E më pas Kryegjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, kishte shqiptuar dënimin në tërësi me 26 vjet burgim.

“Trupi gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës ndalim arbitrarë, dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës së torturës dhe dënim me 25 vjet burgim për krimin e luftës së vrasjes së paligjshme”.

Dënimi ndaj Salih Mustafës nga Gjykata Speciale është i pari lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Gjykatësja, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë para shpalljes së vendimit se ka mendime të gabuara se akuzat janë kundër UÇK-së dhe popullit të Kosovës.

“Në asnjë moment nuk është gjykuar UÇK-ja”, ka thënë ajo.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Absurditeti i Speciales: Prokuroria kërkoi për Salih Mustafën dënim më të madh se sa për të gjithë kriminelët serbë të luftës

Për çka akuzohej Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa, i pyetur se si deklarohet për akuzat, kishte thënën “i pafajshëm në të gjitha pikat që mi ngarkon kjo Zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Lufta për ndryshimin e historisë ka filluar, Kosova pa ushtri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore