Lajme

SHBA/ Kompania kryesore e tubacioneve të karburantit bie pre e sulmit kibernetik


Të premten, një nga tubacionet më të mëdhenj të karburantit amerikan është mbyllur pas një sulmi kibernetik. Ky incident, sipas agjencisë mediatike Financial Times, nënvizon dobësitë të infrastrukturës kryesore të Amerikës.

Gazsjellësi “Colonial”, kompania më e madhe e vendit për produktet e rafinuara, mbeti i mbyllur të shtunën, pasi një nga operatorët deklaroi se kishin rënë “pre e një sulmi të sigurisë kibernetike”.

Ai tha se sulmi ishte i tipit “ransomware”, me anë të të cilit hakerat marrin kontrollin e sistemeve kompjuterike ose të dhënave duke instaluar një program të paligjshëm dhe i lirojnë përsëri vetëm pasi të bëhet pagesa e kërkuar.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ishte informuar mbi këtë çështje dhe qeveria federale ishte “duke punuar në mënyrë aktive për të vlerësuar implikimet e këtij incidenti. Kjo, për të shmangur ndërprerjen e furnizimit dhe për të ndihmuar kompaninë të rifillojë punën sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ky sulm, i cili përfshin më shumë se 5 mijë e 500 milje shtrirje tubacionesh nga Pasadena, Texas në Linden, New Jersey dhe New York Harbour, vjen mes shqetësimeve në rritje në lidhje me dobësitë e sigurisë kibernetike në infrastrukturën energjitike të Amerikës.

Numri i sulmeve me anë të ransomware ka shpërthyer vitet e fundit. Ndërsa kriminelët po përdorin kriptovaluta të tilla si bitcoin për të marrë pagesat, pa u gjurmuar. Gjithashtu ata përdorin edhe ekspertizën e tyre për të mësuar të tjerët.

“Infrastruktura energjetike e SHBA-së është gjithnjë e më shumë subjekt i dëmtimit të sulmeve kibernetike nga rusët, kinezët dhe hakera të tjerë. Kështu që, azhurnimi i sigurisë së sistemeve energjetike amerikane duhet të jetë thelbësor, si për qëllimet e infrastrukturës së administratës së Biden-it ashtu edhe për mesazhet politike”, tha Paul Bledsoe, një ekspert i energjisë në Institutin e Politikave në Washington.

Është e paqartë nëse sulmuesit janë grupe kriminale, të cilët tentojnë të vendosin ransomware për përfitime të tyre, apo hakera të mbështetur nga shtetet e ndryshme.

Zëdhënësi i komapnisë Colonial, nuk bëri me dije se për sa kohë do zgjaste pezullimi apo për detaje të mëtejshme në lidhje me natyrën e sulmit.

Kompania, me anë të një deklarate njoftoi se kishte kontraktuar një firmë të sigurimit kibernetik për të hetuar incidentin.

Sistemi i tubacionit transporton më shumë se 2.5 milionë fuçi karburant në ditë, duke ushqyer tregjet si Atlanta, Washingtoni dhe Nju Jorku me benzinë, naftë, karburant avioni dhe gaz për ngrohje.

Biden ka propozuar një paketë prej 2 trilionë dollarë për të rindezur infrastrukturën e sëmurë të Amerikës, por plani nuk bën fjalë për infrastrukturën e tubacioneve, një pikë e nxehtë për protestat nga aktivistët e mjedisit.

Ben Sasse, një senator republikan nga Nebraska, i cili qëndron në komitetin e inteligjencës së Senatit, tha se sulmi në Colonial bëri të qartë që qeveria federale duhet t’i jepte përparësi “sektorëve kritikë” siç është transporti i karburanteve fosile “në vend të sektorëve të tjerë që maskohen si infrastrukturë”.

“Kjo është një ngjarje që do të shfaqet përsëri dhe ne nuk jemi të përgatitur në mënyrë adekuate,” përmbylli ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore