Lajme

SHBA heq sanksionet e administratës Trump ndaj ICC-së


Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë hequr sanksionet dhe një ndalim të udhëtimit të vendosur nga administrata e Donald Trump, mbi prokuroren e lartë të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), duke kërkuar një marrëdhënie më bashkëpunuese.

Ish-sekretari, Mike Pompeo, vendosi sanksione të paligjshme – nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar – kundër oficerëve të gjykatës dhe familjeve të tyre, veprim i cili u dënua nga aleatët evropianë të SHBA-s dhe të tjerët .

Sanksionet erdhën pasi prokurorja Fatou Bensouda  nisi një hetim mbi krimet e pretenduara të luftës nga personeli ushtarak amerikan në Afganistan.

Gjykata në Hagë irritoi më tej SHBA-në duke hapur një hetim mbi pretendimet e krimeve të luftës në territoret Palestineze nga Izraeli, një aleat i SHBA-së që hedh poshtë autoritetin e gjykatës.

Vendimi

“Ne besojmë, se shqetësimet tona në lidhje me këto raste do të adresohen më mirë përmes angazhimit me të gjithë aktorët në procesin e ICC-së sesa përmes vendosjes së sanksioneve”,  tha Antony Blinken në një deklaratë.

Ai theksoi se të dy sanksionet dhe ndalimi i vizave kundër Bensouda dhe stafit të saj do të hiqeshin.

“Unë besoj se ky vendim sinjalizon fillimin e një faze të re të ndërmarrjes sonë të përbashkët, për të luftuar kundër mosndëshkueshmërisë për krimet e luftës”, tha Silvia Fernandez de Gurmendi, kreu i Shoqatës së Shteteve Palë në ICC.

Prokurorja e lindur në Gambia do të lërë punën e saj në qershor dhe do të zëvendësohet nga avokati britanik për të drejtat e njeriut Karim Khan.

SHBA nuk është bashkuar me ICC-në, e cila filloi operacionet në 2002 pasi mjaft vende ratifikuan traktatin që e krijoi atë, duke pretenduar se gjykata mund të përdorej për ndjekje penale të motivuar politikisht.

Por heqja e sanksioneve ishte sinjali i fundit që administrata e Biden-it synon të kthehet në vijën shumëpalëshe.

Që kur Biden mori detyrën, administrata e tij u ribashkua me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, u ri-angazhua me Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, u kthye në marrëveshjen e klimës në Paris dhe të premten filloi bisedimet që synojnë kthimin në marrëveshjen bërthamore të Iranit.

Trump ishte tërhequr nga të gjitha këto angazhime.

Çfarë është ICC-ja?

Historia Botërore e Shekullit të XX-të u karakterizua jo vetëm nga konflikte të ashpra dhe të përgjakshme, por do të tërhiqte vëmendjen mbi krimet në masë kundrejt popullatave civile. 23 vite më parë do të miratohej Statusi i Romës, që do të bënte të mundur themelimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

ICC-ja është gjykatë e përhershme, me qasje universale për të bërë të mundur gjykimin e autoriteteve më të larta përgjegjëse për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe krimeve të gjenocidit si edhe për të luftuar mungesën e ndëshkimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore